Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Nënshkruhet marrëveshja me BERZH, parku i ri fotovoltaik do të furnizojë me energji 50,000 qytetarë

Shqipëri: Nënshkruhet marrëveshja me BERZH, parku i ri fotovoltaik do të furnizojë me energji 50,000 qytetarë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e parkut fotovoltaik në Belsh, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme në Shqipëri.

Projekti do të ketë një kapacitet prej 50 megavatësh dhe pritet të gjenerojë mjaftueshëm energji elektrike për të furnizuar mbi 50,000 qytetarë.

Marrëveshja e nënshkruar përfshin një kredi të butë nga BERZh dhe një grant prej 9.25 milionë eurosh nga Komisioni Evropian, duke e bërë këtë projekt një nga bashkëpunimet më të rëndësishme midis institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se ky investim është dëshmi e besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj Shqipërisë dhe angazhimit të saj për tranzicionin energjetik. Ajo shtoi se parku i Belshit është vetëm një nga projektet e shumta që janë planifikuar për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur sigurinë energjetike të vendit.

Parku pritet të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh dhe do të përfshijë teknologji moderne për prodhimin e energjisë diellore, duke kontribuar ndjeshëm në reduktimin e varësisë nga hidrocentralet dhe në përmbushjen e objektivave klimatike të Shqipërisë.