Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se më 30 korrik 2025 përfundon periudha e furnizimit të përkohshëm me energji elektrike përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), e cila kishte nisur më 1 qershor, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ky regjim i furnizimit për 60 ditë është aplikuar për konsumatorët që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur pa kontratë me ndonjë furnizues të licencuar. Ligji për Energjinë Elektrike dhe Rregullorja për FMF përcaktojnë këtë zgjidhje si mekanizëm mbrojtës, me qëllim që konsumatorët të kenë kohë të mjaftueshme për të gjetur një furnizues të ri.
Nga data 31 korrik, të gjithë ata që nuk kanë nënshkruar kontratë me ndonjë furnizues të licencuar do të mbesin pa energji elektrike, pasi KEK nuk do të ketë më obligim ligjor për të siguruar furnizim.
KEK u bën thirrje konsumatorëve të veprojnë pa vonesë dhe të lidhen me furnizuesit e licencuar për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit. Sipas ZRRE-së, lista e furnizuesve të licencuar është e disponueshme në faqen e saj zyrtare.