Home / Lajme / Rajoni / Termocentrali i ContourGlobal në Bullgari redukton ndjeshëm humbjet në gjysmën e parë të vitit 2025

Termocentrali i ContourGlobal në Bullgari redukton ndjeshëm humbjet në gjysmën e parë të vitit 2025

Termocentrali me thëngjill Maritsa 3 në Bullgari arriti të ulë humbjet neto në 2.7 milionë euro gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, nga 11.5 milionë euro humbje që ishin regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky përmirësim u arrit kryesisht falë reduktimit të shpenzimeve operative.

Të ardhurat totale të termocentralit ranë në 6.7 milionë euro, nga 12.9 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2024. Shitjet e produkteve kontribuuan me 6.2 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 37% në krahasim me vitin e kaluar.

Shpenzimet operative u zvogëluan ndjeshëm në 9.3 milionë euro, nga 25.8 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Shpenzimet për materiale ranë në 4.8 milionë euro, ndërsa shpenzimet e tjera ekonomike u ulën në 324 mijë euro nga 11.7 milionë euro më parë.

Termocentrali ndodhet në qytetin Dimitrovgrad në jug të Bullgarisë dhe aktualisht operon me një kapacitet prej 120 megavatësh. Aksionet e Maritsa 3 janë të listuara në bursën bullgare me një çmim prej 68.8 euro.

Menaxhimin dhe operimin e termocentralit Maritsa 3 e kryen kompania private ndërkombëtare ContourGlobal, e cila ishte e angazhuar në përpjekjet për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë.

Historiku i ContourGlobal dhe projekti i dështuar i termocentralit në Kosovë

Kompania amerikane ContourGlobal ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës në vitin 2017 për ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet 500 MW, të njohur si “Kosova e Re”. Ky projekt, i vlerësuar në rreth 1.3 miliardë euro, kishte për qëllim zëvendësimin e termocentralit ekzistues të Kosovës A dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në vend.

Megjithatë, ndërtimi i këtij termocentrali nuk ka filluar kurrë. Në vitin 2020, ContourGlobal njoftoi se po tërhiqej nga projekti, duke cituar pamundësinë për të arritur fazat e nevojshme të zhvillimit për shkak të ndryshimeve politike në Kosovë. Në pasojë, kompania ka iniciuar një proces arbitrazhi ndërkombëtar kundër Kosovës për dështimin e realizimit të projektit.

Ky zhvillim çoi në një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila urdhëroi Qeverinë e Kosovës të paguajë një dëmshpërblim prej mbi 20 milionë euro për shkeljen e kontratës.