Home / Lajme / Rajoni / Jo vetëm në Kosovë – edhe bizneset në Shqipëri ankohen për çmimet e larta të energjisë elektrike

Jo vetëm në Kosovë – edhe bizneset në Shqipëri ankohen për çmimet e larta të energjisë elektrike

Çmimet e energjisë elektrike po bëhen barrë e rëndë për bizneset në rajon. Në Shqipëri, sipas administratorit të “Konfindustria”, Gjergj Buxhuku, vendi paguan çmimin më të lartë të energjisë në krahasim me shtetet fqinje.

Ai theksoi se çmimi për bizneset është rreth 53 për qind më i lartë se në Kosovë dhe mbi 50 për qind më i shtrenjtë se në Mal të Zi, duke e bërë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve shqiptare më të vështirë në tregun rajonal. Kjo situatë, sipas tij, nuk lidhet vetëm me kushtet e tregut ndërkombëtar, por edhe me mënyrën se si menaxhohet sistemi energjetik brenda vendit.

Në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare që furnizohen në tension të mesëm apo të ulët përballen me tarifa të larta, të cilat bëhen edhe më të rënda kur përfshihen kostot e shpërndarjes dhe transmetimit. Kjo ka sjellë reagime nga sipërmarrjet, të cilat shprehen se humbasin aftësinë për të qenë konkurruese dhe për të mbijetuar në një treg gjithnjë e më sfidues, raporton Energy Monitor.

Situata nuk është më e lehtë as në Kosovë. Liberalizimi i tregut të energjisë ka detyruar bizneset e mëdha që të blejnë energjinë nga furnizues privatë, duke çuar në rritje të menjëhershme të çmimeve.

Shumë kompani kanë raportuar trefishim të faturave mujore, duke nxitur protesta dhe paralajmërime për mbyllje aktiviteti. Bizneset kosovare thonë se kjo situatë i vë në rrezik serioz, pasi kostot e energjisë po e bëjnë të pamundur zhvillimin e prodhimit dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Në këtë mënyrë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, energjia elektrike po kthehet në një sfidë të madhe për sektorin privat.

Ndërsa familjarët në Shqipëri përfitojnë nga uljet e fundit të çmimit për konsumin bazë, bizneset mbeten të ekspozuara ndaj faturave të rënda, një problem i përbashkët që kërkon zgjidhje të shpejtë për të mos ndikuar negativisht në ekonomitë e dy vendeve.

/Energy Monitor