Home / Lajme / Ndërkombëtare / Termocentrali i së ‘ardhmes’ hapet në Japoni

Termocentrali i së ‘ardhmes’ hapet në Japoni

Në qytetin Fukuoka të Japonisë është vënë në punë centrali osmotik në vend, i dyti më i madh i këtij lloji në botë. Nga disa ekspertë centrale të këtij lloji vlerësohen si “centrale të së ardhmes”.

Teknologjia bazohet te një proces natyror: kur uji i ëmbël i lumenjve takohet me ujin e kripur të detit, krijohet një presion i fuqishëm osmotik, i cili mund të shfrytëzohet për të gjeneruar energji elektrike.

Ky central pritet të prodhojë rreth 880 mijë kilovat-orë në vit, sasi që mjafton për furnizimin e qindra familjeve ose për funksionimin e një impianti të ujit të pijshëm. Sipas Dr. Ali Altay, një ekspert në burimet alternative të ujit në Universitetin e Teknologjisë në Sidnei (UTS), kjo sasi energjie është e mjaftueshme për afërsisht 220 familje japoneze.

Përparësia e madhe e teknologjisë osmose është se ofron një burim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm energjie, ndryshe nga era apo dielli që varen nga kushtet atmosferike.

Autoritetet japoneze e shohin këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të ripërtëritshme dhe forcimit të sigurisë energjetike. Pas Danimarkës, që nisi një projekt të ngjashëm disa vite më parë, Japonia synon të zhvillojë më tej këtë teknologji për ta shndërruar në një alternativë të vlefshme ndaj karburanteve fosile.