Kroacia ka zbuluar potenciale të reja gjeotermale në qytetin e Osijekut, duke hapur rrugën për zhvillimin e ngrohjes qendrore nga burime të qëndrueshme në këtë vend.
Agjencia Kroate e Hidrokarbureve njoftoi se hulumtimi gjeotermal në pikën OsGT-1 ka treguar temperatura mbi 100 gradë Celsius dhe një kapacitet termik prej rreth 5 megavatësh.
Osijeku është qyteti i dytë në vend që konfirmon burime të tilla, pas Velika Goricës, ku më herët gjatë këtij viti u evidentua potencial i ngjashëm.
Sipas autoriteteve, projekti në Osijek ka kushtuar rreth 8 milionë euro, të mbuluara nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës. Edhe pse temperaturat e regjistruara janë më të ulëta se në Velika Gorica, për shkak të dallimeve gjeologjike dhe thellësisë më të vogël, burimi konsiderohet i mjaftueshëm për nevojat lokale.
Kryetari i qytetit, Ivan Radić, tha se ky burim gjeotermal do të shfrytëzohet si nga familjet, ashtu edhe nga bizneset, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të leverdishme për ngrohje qendrore.
Eksplorimet do të vazhdojnë edhe në qytetet Vinkovci dhe Zaprešić, dhe nëse rezultatet dalin pozitive, do të hapen edhe lokacione të tjera. Në proces, përveç institucioneve publike, janë përfshirë edhe kompani private si ENNA Geo, e cila po kryen kërkime të tjera gjeotermale në Kroaci.
Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të miksit energjetik dhe forcimit të qëndrueshmërisë në sektorin e ngrohjes.