Home / Lajme / Efiçiencë / Përurimi i dy ndërtesave sociale në Mitrovicë, investim në efiçencën e energjisë për 173 banorë

Përurimi i dy ndërtesave sociale në Mitrovicë, investim në efiçencën e energjisë për 173 banorë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë përuruar dy ndërtesa sociale në Shipol dhe Desi të Mitrovicës, ku është investuar në rritjen e efiçencës së energjisë.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, dhe drejtori i Departamentit të Operacioneve i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Petrit Ahmeti.

Përmes një investimi prej 381,622 euro, në këto ndërtesa janë kryer punime të shumta për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe uljen e humbjeve të energjisë. Punimet përfshijnë izolimin e çative dhe mureve të jashtme, ndërrimin e dyerve dhe dritareve të vjetruara, instalimin e sistemeve të ngrohjes efikase, vendosjen e interfonisë dhe implementimin e masave për mbrojtje nga zjarri.

Ndërtesa sociale në Shipol, e ndërtuar në vitin 2003, do të përmirësojë jetesën e 18 familjeve, përfshirë katër të udhëhequra nga gra. Ndërsa ndërtesa në Desi, e vitit 2005, do të strehojë 21 familje, mes tyre katër të udhëhequra nga gra. Të dyja ndërtesat, që për shumë vite kanë qenë pa izolim të duhur, pa dritare efikase dhe pa sisteme adekuate ngrohjeje, do të ofrojnë kushte më të mira për gjithsej 173 banorë.

Ky projekt është pjesë e një investimi më të madh prej mbi 6 milionë euro që përfshin renovimin e 25 ndërtesave sociale në të gjithë Kosovën. Projekti është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe është mbështetur financiarisht 90% nga Bashkimi Evropian, ndërsa 10% e pjesëmarrjes financiare është nga komunat.

Përveç ndërtesave sociale, në Mitrovicë janë renovuar edhe nëntë objekte publike, përfshirë katër shkolla, një çerdhe, dy ambulanca në Bajgorë dhe Bare, si dhe Qendrën e Kulturës. Këto investime synojnë të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.