Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Familjet konsumuan 10,2% më shumë energji elektrike në 3-mujorin e dytë të 2025

Shqipëri: Familjet konsumuan 10,2% më shumë energji elektrike në 3-mujorin e dytë të 2025

Në total, përdorimi i energjisë elektrike nga të gjithë konsumatorët në Shqipëri ka arritur në 1.525 GWh, me një rritje prej 3,3% krahasuar me 1.475 GWh të regjistruar një vit më parë

Konsumatorët familjarë rritën përdorimin e energjisë elektrike gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, familjet kanë konsumuar 10,2% më shumë energji elektrike, një rritje që ka ndikuar dukshëm në totalin e energjisë së përdorur në vend.

Në total, përdorimi i energjisë elektrike nga të gjithë konsumatorët ka arritur në 1.525 GWh, me një rritje prej 3,3% krahasuar me 1.475 GWh të regjistruar një vit më parë.

Ndërsa konsumatorët familjarë kanë shënuar një rritje të fortë të konsumit, kategoria e konsumatorëve jo familjarë ka pësuar një ulje me 3%.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike u ul me 4,6%, duke arritur vlerën 1.757 GWh nga 1.841 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2024.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 43,5% , nga hidrocentralet publike në masën 40,1% dhe nga të tjerë prodhues në masën 16,4% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.