Situata jo e favorshme hidrike ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të zhvillojë disa procedura për blerje energjie në javët e fundit, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore.
Në 3 procedurat e fundit janë shpenzuar rreth 26 mln euro, teksa fatura totale për këtë vit ka arritur në rreth 159 mln euro. Gjatë javëve të fundit janë zhvilluar edhe 2 procedura për shitjen e energjisë, duke gjeneruar një vlerë të kufizuar prej rreth 730 mijë euro, si dhe një procedurë optimizimi, nga e cila është përfituar një vlerë modeste prej rreth 17 mijë euro.
Ky nuk është një vit i mirë nga pikëpamja e energjisë, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve të shiut, që do mundësonin prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit.
Çmimi me të cilin është siguruar energjia gjatë këtij viti përllogaritet në rreth 123.6 euro/mWh, teksa më shtrenjtë energjia është blerë në muajt janar – shkurt. Kjo situatë paraqet një kontrast të fortë me vitin e kaluar, kur deri në fund të 6-mujorit të parë nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë importi, falë furnizimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit. Për vitin 2024, fatura totale e importeve të energjisë elektrike arriti në rreth 70 milionë euro.
Pavarësisht shifrave në rritje të energjisë diellore, sistemi elektroenergjetik shqiptar mbetet i varur nga kushtet e motit, që në periudha thatësirash i kushtojnë financave publike miliona euro shpenzime.