Home / Lajme / Ndërkombëtare / Gjermani: 5.4 trilionë euro për transformimin energjetik

Gjermani: 5.4 trilionë euro për transformimin energjetik

Dhoma Federale e Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani ka paralajmëruar se strategjia aktuale për transformimin energjetik mund t’i kushtojë ekonomisë së vendit 5.4 trilionë euro deri në vitin 2049. Kjo do të krijonte një ngarkesë të rëndë për bizneset dhe familjet, duke dobësuar konkurrueshmërinë.

Qëllimi i Berlinit është të arrijë 80% furnizim me energji të rinovueshme deri në vitin 2030 dhe neutralitet klimatik deri në 2045. Por pavarësisht rritjes së shpejtë të burimeve të gjelbra si era dhe dielli, çmimet e energjisë elektrike mbeten ndër më të lartat në Evropë.

“Me politikat aktuale, tranzicioni energjetik nuk mund të ketë sukses. Ai rrezikon të largojë industritë intensive jashtë vendit, duke dobësuar bazën ekonomike të Gjermanisë,” thuhet në raport.

Sipas një studimi të kryer nga kompania Frontier Economics, investimet private vjetore në sektorët e energjisë, industrisë, ndërtesave dhe transportit do të duhet të rriten nga një mesatare prej 82 miliardë eurosh gjatë viteve 2020–2024 në një shifër midis 113 dhe 316 miliardë eurove deri në 2035.

Kostot e sistemit energjetik për periudhën 2025 deri në 2049 parashikohen të jenë nga 4.8 deri në 5.5 trilionë euro, duke përfshirë deri në 2.3 trilionë euro për importe dhe 1.2 trilionë euro për infrastrukturën e rrjetit elektrik.

Studimi bën thirrje për një qasje më efikase në kosto dhe për koordinim ndërkombëtar përmes forcimit të tregtisë së karbonit, rregulloreve më të lehta dhe zgjerimit e rrjeteve të gazit për hidrogjen dhe gaz të dekarbonizuar.

Vlerësohet se masa të tilla mund të sjellin kursime deri në 910 miliardë euro brenda vitit 2050. Kursimet totale mund të kalojnë 1 trilion euro, nëse objektivat për neutralitet klimatik zbuten.

/scantv.al