Energjia diellore ka hyrë në një fazë të re zhvillimi të shpejtë. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë instaluar 380 gigavat (GW) kapacitete të reja të prodhimit të rrymës nga era në nivel global.
Shifra përbën një rritje prej 64 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u instaluan 232 GW.
Ky është rezultati më i lartë i regjistruar ndonjëherë në një periudhë gjashtëmujore, duke treguar se energjia diellore po bëhet burimi kryesor i rritjes në tregjet e energjisë.
Kina udhëheq zhvillimin botëror
Kina ka qenë vendi me ndikimin më të madh në këtë rritje. Aty janë instaluar 256 GW të rinj, që përfaqësojnë rreth 67 për qind të totalit global.
Me këtë ritëm, Kina arriti nivelin e 1 teravatit të kapaciteteve diellore në muajin maj dhe vetëm një muaj më pas kaloi në 1.1 teravat.
Jashtë Kinës janë shtuar 124 GW, që përbëjnë një rritje prej 15 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.
A do të ngadalësohet revolucioni diellor?
Analistët vlerësojnë se rritja është nxitur nga ulja e kostove të paneleve fotovoltaike, politikat mbështetëse dhe përpjekjet e kompanive për të përfunduar projektet përpara ndryshimeve rregullative.
Megjithatë, gjysma e dytë e vitit pritet të sjellë ngadalësim, sidomos për shkak të reformës së çmimeve të energjisë në Kinë. Parashikimet flasin për 88 deri në 98 GW instalime të reja gjatë periudhës korrik–dhjetor, dukshëm më pak se 175 GW të regjistruara në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Edhe me këtë ngadalësim, viti 2025 pritet të përfundojë si më i fuqishmi në historinë e energjisë diellore, me mbi 470 GW kapacitete të reja në total.
Kjo rritje forcon rolin e energjisë së pastër në furnizimin global, por njëkohësisht ngre sfida për rrjetet elektrike dhe kërkon investime më të mëdha në ruajtjen dhe shpërndarjen e energjisë.