Home / Lajme / Rajoni / Rama: Mbrojtja e burimeve ujore, prioritet kombëtar – Kemi ndaluar dhënien e lejeve për HEC-e

Rama: Mbrojtja e burimeve ujore, prioritet kombëtar – Kemi ndaluar dhënien e lejeve për HEC-e

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ngritjen e Operatorit Kombëtar për Prodhimin e Ujit, një strukturë e re që do të angazhohet në administrimin dhe përdorimin strategjik të burimeve ujore në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të ruajtjes së pasurive natyrore dhe mbrojtjes së interesit publik, duke iu referuar periudhës kur ndarja masive e lejeve për hidrocentrale kishte rrezikuar seriozisht lumenjtë dhe tokat bujqësore të vendit.

“Kjo qeveri e ka ndaluar prej kohësh dhënien e lejeve për HEC-e. Kemi bërë një luftë të madhe kundër asaj që unë e quaj ‘minisuperfuqi energjetike’, një rrjet gjakëpirës që i thithte ujin fermerëve dhe zonave rurale, duke tharë shtratin e lumenjve për interes të disa individëve”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se kjo nuk ishte rruga që duhej të ndiqte Shqipëria, dhe se qeveria ka vepruar me vendosmëri për të mbyllur këtë kapitull.

“Nuk kemi luftuar sipërmarrjen, por kemi mbrojtur burimet ujore të popullit shqiptar. E kemi bërë për interesin kombëtar, jo për të penguar zhvillimin”, u shpreh Kryeministri.

“Ne e kemi mbyllur këtë kapitull prej shumë kohësh dhe kemi bërë luftra të mëdha me ata që kishin leje dhe dilnin rrugëve dhe shisnin leje. Ne kemi bërë atë për të mbrojtur burimet ujore të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptarë dhe nuk e kemi bërë prë të ndalur sipërmarjen”, tha ai.