Një aksion i zakonshëm kontrolli nga ekipet e KEDS-it për dyshime mbi keqpërdorim të energjisë elektrike ka çuar në zbulimin e një laboratori droge në bodrumin e një lokali të vogël, kafe-bar, në kryeqytet.
Gjatë inspektimit, ekipet hasën një rrjet të gjerë pajisjesh elektrike të lidhura në mënyrë ilegale: drita me fuqi të lartë, ventilatorë, furra, sisteme ftohjeje dhe pajisje të tjera të përdorura për prodhimin e substancave narkotike. E gjithë kjo ishte duke u furnizuar me energji elektrike të vjedhur.
Sipas përllogaritjeve të KEDS-it, dëmi i shkaktuar arrin mbi 217 mijë kilovat-orë, që përkthehet në një shumë prej 32,670.99 euro. Kjo shumë i vihet si detyrim pronarit të lokalit në kuadër të procesit të rikthimit të humbjeve.
“Kjo është një formë e rëndë abuzimi, e cila jo vetëm që dëmton sistemin elektroenergjetik, por rrezikon edhe sigurinë e qytetarëve përreth,” deklaruan nga KEDS-i.
Përveç detyrimit financiar, konsumatori do të përballet edhe me një proces gjyqësor në gjykatat kompetente të Republikës së Kosovës. Ligji parashikon gjoba të larta dhe deri në tre vjet burgim për keqpërdoruesit e energjisë elektrike.