Home / Lajme / Rajoni / Vuçiç: Zgjerojmë bashkëpunimin me Rusinë për furnizimin me gaz

Vuçiç: Zgjerojmë bashkëpunimin me Rusinë për furnizimin me gaz

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se vendi i tij jo vetëm që synon të ruajë, por edhe të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, veçanërisht në sektorin e energjisë, pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Pekin.

“Moska dhe Beogradi po përgatiten për një marrëveshje të re mbi furnizimin me gaz natyror”, u tha Vuçiç gazetarëve.

”Ne kemi marrë garanci që marrëveshja për gazin do të jetë me kushte të favorshme. Putin nuk hyri në detaje, pasi presidentët nuk diskutojnë për çështje të tilla. I thashë se pres drejtësi ndaj Serbisë. Besoj se deri në fund të shtatorit do të ketë zhvillime”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se ”Putin mbështeti fuqishëm pavarësinë e Serbisë dhe se bisedimet u fokusuan kryesisht në sigurinë energjetike”.

Mediet kombëtare raportuan se Vuçiç i kujtoi Putinit se Serbia mbetet i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë duke theksuar se Beogradi ka qenë nën presion të madh që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Dy liderët diskutuan gjithashtu për akuzat se armë serbe kanë përfunduar në Ukrainë.

Vuçiç i hodhi poshtë këto pretendime dhe tha se u ra dakord për krijimin e një grupi të përbashkët pune për të gjurmuar origjinën e armëve që Rusia thotë se kanë mbërritur në Ukrainë nga burime serbe.

Bashkëpunimi në fushën e energjisë, sidomos furnizimi me gaz natyror, si dhe rëndësia e ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë, ishin temat qendrore të diskutimeve.

Takimi u zhvillua në një kohë kur Serbia vazhdon të balancojë aspiratat për anëtarësim në BE me lidhjet e saj të hershme me Rusinë.