Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS përmirëson furnizimin me energji për mbi 100 banorë në Maxhunaj të Vushtrrisë

KEDS përmirëson furnizimin me energji për mbi 100 banorë në Maxhunaj të Vushtrrisë

KEDS ka përfunduar me sukses një projekt të rëndësishëm në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, duke instaluar një transformator të ri me rrjet përcjellës të tensionit të ulët dhe të mesëm. Investimi ka sjellë një ndryshim të dukshëm në cilësinë e furnizimit me energji për mbi 100 banorë të zonës, të cilët tashmë gëzojnë shërbime më stabile dhe më të sigurta.

Ky hap është pjesë e përkushtimit të KEDS-it për modernizimin e rrjetit elektrik në mbarë vendin, duke eliminuar problemet e mbingarkesave dhe vështirësitë që shkaktoheshin nga faktorët natyrorë.

Banorët e Maxhunajt kanë ndarë përvojën e tyre pas këtij investimi. Nazmi Proni, xehetar në KEK, u shpreh se ndryshimi është i madh:
“Na keni shpëtuar! Përpara pajisjet nuk na funksiononin. Tash gjithçka punon si duhet. Na keni nxjerrë në dritë,” tha ai.

Punimet u realizuan nga ekipet e mirëmbajtjes së KEDS-it, të cilat i përfunduan ndërhyrjet pa penguar jetën e përditshme të banorëve. Sipas kompanisë, vendosja e transformatorit dhe rrjetit të ri përcjellës do të garantojë stabilitet afatgjatë të furnizimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin ekonomik lokal.

KEDS thekson se mbetet e përkushtuar të avancojë infrastrukturën energjetike në Kosovë përmes projekteve të ngjashme, duke garantuar shërbime moderne, të sigurta dhe të qëndrueshme për çdo konsumator.