Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi në një intervistë për BBC se bashkimi bërthamor pritet të revolucionarizojë furnizimin me energji në botë brenda dekadës së ardhshme, falë përparimeve në inteligjencën artificiale.
Wright tha se teknologjia e bashkimit bërthamor, e cila imiton proceset që fuqizojnë diellin, do të jetë funksionale brenda pesë viteve dhe e gatshme për rrjetin elektrik global në 8-15 vjet.
Komentet e Wright u bënë gjatë një interviste me redaktorin e klimës të BBC-së, Justin Rowlatt, në Bruksel. Ai theksoi se avancimet e shpejta në laboratorët kombëtarë dhe kompanitë private amerikane, të ndihmuara nga AI, do të mundësojnë përdorimin e energjisë së bashkimit shumë më shpejt se sa pritej nga komuniteti shkencor.
Megjithatë, ekspertë të shumtë janë skeptikë, duke theksuar se ndërtimi i centraleve komerciale të qëndrueshme për shkrirjen bërthamore është ende larg realizimit praktik.
Wright, një figurë e afërt me Presidentin Trump, përdori intervistën për të kritikuar politikat klimatike të Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës. Ai bëri thirrje për heqjen e ndalimit të fracking-ut në Britani dhe licenca të reja për naftë dhe gaz në Detin e Veriut.
Ai paralajmëroi gjithashtu për “varësinë e rrezikshme” të Evropës nga teknologjitë kineze të energjisë së rinovueshme, duke thënë se “duket sikur kinezët mund të kontrollojnë sistemin tuaj energjetik.”
/Top Channel