Home / Lajme / Rajoni / Rama: Synojmë pavarësinë energjetike dhe lidhjen me rrjetet evropiane

Rama: Synojmë pavarësinë energjetike dhe lidhjen me rrjetet evropiane

Kryeministri Edi Rama, nga Vjena ku mori pjesë në konferencën “Shqipëria, horizonti i ri”, deklaroi se sektori i energjisë në Shqipëri ka kaluar një transformim të rëndësishëm dhe tashmë ndodhet në një pozicion shumë më të mirë.

Rama theksoi se më parë Shqipëria trashëgoi një situatë të vështirë në shoqërinë e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një borxh prej 1,2 miliardë lekësh dhe një shpërndarje të pabarabartë të faturave, ku rreth 50% e konsumatorëve nuk paguanin energjinë, ndërsa 50% tjerë paguanin më shumë për këtë arsye.

Sot, tha Kryeministri, Shqipëria ka shumë burime të reja energjie, ku mbi 10% e prodhimit të energjisë vjen nga energjia diellore, dhe synimi është që kjo të arrijë deri në 30%.

“Qëllimi është të arrihet sovraniteti energjetik deri në vitin 2030, duke prodhuar energjinë e nevojshme gjatë gjithë vitit pa pasur nevojë për import”, tha ai.

Rama foli dhe për investimet në energji diellore dhe erë, si dhe teknologjitë e reja që lidhen me sistemin hidrovor dhe pompave.

“Po investojmë në energji diellore dhe në atë të erës, si dhe në teknologji të reja, duke përfshirë edhe stacionet që janë pjesë e sistemit hidrovor dhe pompave të sistemit ekzistues të energjisë hidroelektrike. Kjo do të na mundësojë, përmes riciklimit të ujit, që të përdorim energjinë nga i njëjti ujë dhe praktikisht të rrisim sasinë e energjisë së prodhuar me impiante deri në 800 MW, një mënyrë që ishte e paimagjinueshme, vetëm pak vite më pare”, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, situata do të përmirësohet edhe më shumë falë marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë për ndërlidhjen e rrjeteve elektrike me një kabull nënujor, si dhe për investime të reja në energji të ripërtëritshme, të cilat do t’i shtohen kapaciteteve ekzistuese dhe do të mundësojnë eksportin drejt Bashkimit Evropian.