Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë një hua prej 12.2 milionë eurosh për kompaninë kroate RP Global Novalja, për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet prej 21 megavatësh (MW) në qytetin e Novaljës. Projekti synon të shtojë kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme në Kroaci dhe të reduktojë emetimet e gazrave serrë.
Financimi është ndarë në dy pjesë: një transhë prej 7.2 milionë eurosh dhe një tjetër prej 5 milionë eurosh, e cila mbështetet nga garancia e Bashkimit Evropian në kuadër të kornizës InvestEU për tranzicion të qëndrueshëm.
Sipas BERZH-it, impianti do të kontribuojë në kursimin e rreth 6,400 tonëve emetime karbonike në vit, duke përmirësuar efikasitetin energjetik dhe duke rritur pjesëmarrjen e burimeve të rinovueshme në miksin energjetik kroat.
RP Global Novalja është një degë e kompanisë austriake RP Global, e cila ka më shumë se 70 projekte në portofolin e saj dhe operon edhe në shtete të tjera, si Italia, Gjermania, Franca, Polonia, Portugalia dhe Spanja. Projekti në Novalja konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e energjisë diellore në Kroaci dhe për rritjen e bashkëpunimit rajonal në sektorin e ripërtëritshëm.