Home / Lajme / Kosova / Edicioni i dytë i Energy Hub fuqizon studentët për efiçiencë energjetike dhe ndërmarrësi të gjelbër

Edicioni i dytë i Energy Hub fuqizon studentët për efiçiencë energjetike dhe ndërmarrësi të gjelbër

Nga 21 deri më 23 nëntor, edicioni i dytë i Energy Hub i organizatës Balkan Green Foundation mblodhi rreth 30 studentë të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës për një program intensiv mbi efiçiencën e energjisë, inovacionin dhe ndërmarrësinë e gjelbër.

Studentët u njohën me sistemet solare termike dhe fotovoltaike, ku analizuan llojet, kalkulimet dhe aplikimet praktike. Ata gjithashtu u thelluan në auditimin energjetik, performancën e ndërtesave dhe menaxhimin e konsumit, tema kyçe për zhvillimin e efiçiencës së energjisë.

Në kuadër të programit, pjesëmarrësit dëgjuan eksperiencat e Shend Boshnjakut, konsulent për efiçiencë të energjisë, i cili ndau përvojat e tij në sektor, gjendjen aktuale të sistemit energjetik në Kosovë dhe mundësitë për profesionistët e rinj.

Gjatë trajnimit tre-ditor, studentët theksuan rëndësinë e inovacionit dhe ndërmarrësisë, duke zhvilluar ide konkrete biznesesh të gjelbërta. Përmbajtja teorike, analizat e tregut dhe modelet praktike rezultuan me projekte novatore që demonstruan suksesin e aktivitetit.

Ky program u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile në Kosovë (EECSOK)”, i implementuar nga Community Development Fund – CDF dhe i mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.