Pamja globale e emetimeve të karbonit deri në vitin 2050 paraqet një realitet të ndarë mes rajoneve që po arrijnë ulje të qëndrueshme dhe atyre ku ndotja pritet të rritet me ritme të përshpejtuara.
Të dhënat tregojnë qartë se politika klimatike dhe ritmi i zhvillimit ekonomik po ndikojnë në mënyra krejt të ndryshme tek emetimet e CO₂ në nivel botëror.
Në Amerikën e Veriut, emetimet kanë shënuar rënie graduale: nga 6.5 mijë Mt CO₂ në vitin 2010, ato ranë në 5.6 mijë Mt në vitin 2024 dhe pritet të zbresin më tej në 5.1 mijë Mt në vitin 2050, një ulje prej –8.9%. Ky trend pasqyron efikasitet më të lartë energjetik, dekarbonizim të industrive dhe rritje të përdorimit të burimeve të rinovueshme.
Ndërkohë, Evropa evidentohet si rajoni me shkallën më të thellë të reduktimit të emetimeve. Nga 4.7 mijë Mt CO₂ në vitin 2010, Europa ka rënë në 3.5 mijë Mt në vitin 2024 dhe pritet të arrijë vetëm 2.0 mijë Mt në vitin 2050. Rënia prej –42.9% është më e larta në botë, duke e pozicionuar kontinentin si lider absolut në tranzicionin energjetik dhe në zbatimin e masave për neutralitet klimatik. Kjo rënie e thellë është rezultat i politikave të gjelbra të BE-së, mbylljes së termocentraleve me qymyr, rritjes së energjive të pastra dhe standardeve strikte të efikasitetit.
Përkundrazi, rajonet në zhvillim përballen me rritje të shpejtë të emetimeve. Afrika pritet të rritet nga 1.5 mijë Mt në vitin 2024 në 2.2 mijë Mt në vitin 2050, një zgjerim prej 46.7% i nxitur nga rritja demografike dhe industrializimi. Lindja e Mesme parashikohet të ndjekë një trajektore të ngjashme, duke u rritur me 43.5%, ndërsa Amerika Qendrore dhe Jugore me 33.3% deri në vitin 2050, pasi kërkesa për energji dhe urbanizimi vijojnë të rriten.
Rajoni i Azisë dhe Paqësorit mbetet kontribuesi më i madh global, me 20.4 mijë Mt CO₂ aktualisht. Deri në vitin 2050 pritet një rënie e lehtë në 19.2 mijë Mt, që përfaqëson –5.9%. Edhe pse ulja është modeste, ajo mbetet e rëndësishme duke pasur parasysh shkallën e popullsisë dhe industrisë së rajonit.
Në përmbledhje, emetimet globale do të arrijnë në 334,000 Mt në vitin 2050, duke u ulur nga 34,500 Mt në vitin 2024. Por tabloja mbetet e pabarabartë: ndërsa Europa po udhëheq me ulje historike të ndotjes, një pjesë e madhe e botës po ecën në kah të kundërt. Ritmi i tranzicionit energjetik në dekadat e ardhshme do të përcaktojë nëse objektivi global për frenimin e ngrohjes klimatike do të jetë i arritshëm apo jo.

/ekofin.al



