Sindikata e Re e KEK-ut njoftoi se nesër do t’i drejtohet zyrtarisht menaxhmentit me kërkesë për ndërmjetësim ligjor, në lidhje me kërkesat e punëtorëve që deri më tani nuk janë realizuar.
Sipas njoftimit zyrtar, ky hap po ndërmerret për të shteruar të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale për zgjidhje paqësore, duke dëshmuar vullnetin e punëtorëve dhe sindikatës për një dialog konstruktiv.
“Në rast se kjo fazë ligjore nuk sjell rezultate konkrete, veprimet sindikale, përfshirë protestën dhe grevën, do të jenë të pashmangshme, si e drejtë kushtetuese dhe ligjore e punëtorëve,” thuhet në komunikatën e Sindikatës së Re.
Gjatë këtij procesi, sindikata do të vazhdojë me aktivitete informuese dhe mobilizuese, duke mbajtur komunikim të drejtpërdrejtë me punëtorët.
Punëtorët e KEK-ut, sipas sindikatës, kanë treguar përgjegjësi, durim dhe pjekuri, ndërsa tani është radha e institucioneve dhe menaxhmentit për të reflektuar mbi kërkesat e tyre.



