Rreth 7,000 familjeve në kryeqytetin gjerman iu rikthye energjia elektrike pas një ndërprerjeje që nga e shtuna e shkaktuar nga një zjarrvënie që dyshohet se është një akt sabotazhi ndaj termocentralit Lichterfelde.
Autoritetet po e hetojnë si të qëllimshem zjarrin që përfshiu disa kabllo të tensionit të lartë në një urë pranë një termocentrali pasi morën një letër anonime ku merrej përsipër përgjegjësia për këtë akt.
Një zëdhënës i policisë së Berlinit tha se ishte e besueshme që letra ishte shkruar nga një grup ekstremist i krahut të majtë që e quante veten Grupi i Vullkanit.
Policia dërgoi rreth 160 oficerë në vendin e incidentit që po hetojnë mbi dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Dhjetëra mijëra të tjera në Berlin që kanë mbetur pa ngrohje do të duhet qe të presin disa ditë për të patur energji elektrike në banesat e tyre, në një kohë kur vendi po përjeton temperatura shumë të ulëta. Kjo ndërprerje e energjisë elektrike të shtunën preku rreth 45,000 shtëpi dhe 2,220 biznese.
Në zonën e prekur më shumë në kryeqytetin gjerman nga mungesa e energjisë elektrike ndodhen disa azile kujdesi dhe objekte mjekësore. Shërbimet e urgjencës kanë transferuar banorët nga të paktën dy azile për të moshuarit.
Ndërsa autoritetet përpiqen të riparojnë kabllot e energjisë të dëmtuara rëndë nga mungesa e energjisë elektrike pritet të shkaktojë dëme edhe në makineritë në disa fabrika.
Moti i ftohtë po i ngadalëson përpjekjet e autoriteteve për të vendosur kabllo të reja nëntokësore.
Autoritetet i kanë nxitur banorët qe të qëndrojnë me miqtë ose të afërmit diku tjetër nëse është e mundur, të përdorin telefonat celularë me kursim dhe të sigurohen që të kenë pranë fenerë për ndriçim në kushtet e errësirës.
Në muajin shtator në Berlin ka patur një sulm të ngjashëm në dy shtylla të energjisë elektrike në juglindje të qytetit, i cili rezultoi te ishte i motivuar politikisht.



