Home / Highlights / KEK në regjim maksimal: pesë njësi prodhuese aktive dhe mbi 20 mijë MWh bruto energji në ditë prodhim

KEK në regjim maksimal: pesë njësi prodhuese aktive dhe mbi 20 mijë MWh bruto energji në ditë prodhim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht po operon njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke arritur një nivel të rrallë operimi për sistemin elektroenergjetik të vendit. Sipas KEK-ut, njësitë janë në funksion me kapacitete maksimale operative dhe në përputhje të plotë me parametrat teknikë, duke siguruar një prodhim bruto ditor prej mbi 20 mijë megavat-orë.

Në sqarimin e saj publik, KEK thekson se në kushte normale operon me katër njësi prodhuese, ndërsa aktivizimi i njësisë së pestë bëhet zakonisht gjatë periudhave me temperatura të ulëta dhe rritje të kërkesës për energji. Që nga 19 dhjetori 2025, korporata ka arritur të operojë me pesë njësi për nëntë ditë përmes ndërhyrjeve të shkurtra operative, si dhe për shtatë ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me operim të vazhdueshëm.

Ky nivel operimi konsiderohet i pazakontë, veçanërisht duke pasur parasysh moshën e njësive prodhuese dhe kompleksitetin teknik të sistemeve ekzistuese. Sipas KEK-ut,

Njësia A4 ka nisur operimin gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në orët e para të mëngjesit, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i Njësive B1 dhe A4 brenda një afati optimal operacional dëshmon kapacitetin profesional të stafit teknik dhe menaxherial, si dhe planifikimin dhe menaxhimin efikas të proceseve të sanimit.

Si rezultat i këtij operimi të qëndrueshëm, sistemi elektroenergjetik aktualisht po funksionon me kapacitete të plota, duke reflektuar stabilitet teknik, siguri operative dhe performancë të lartë të prodhimit vendor. KEK vlerëson se kjo gjendje kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e furnizimit me energji elektrike në vend.

Korporata Energjetike e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për operim të sigurt dhe efikas, për menaxhim rigoroz të aseteve prodhuese, si dhe për avancimin e projekteve strategjike të modernizimit. Sipas KEK-ut, këto projekte synojnë forcimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit afatgjatë të sektorit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, në një periudhë kur siguria e furnizimit mbetet sfidë kyçe për sistemin energjetik.