Vetëm pak ditë pasi Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte njoftuar se sistemi po operonte në regjim maksimal, me pesë njësi prodhuese aktive dhe mbi 20 mijë MWh energji në ditë, realiteti operativ ka ndryshuar shpejt. Brenda një periudhe të shkurtër, dy njësi prodhuese janë nxjerrë jashtë operimit, njëra për shkak të një ndalese teknike emergjente dhe tjetra për kontroll të planifikuar pas një periudhe të gjatë pune të pandërprerë.
Sipas njoftimit të parë të KEK-ut, Njësia A3 u ndal përkohësisht nga operimi rreth orës 18:40, pas aktivizimit të releve mekanike të Buchholz-it në bllok-transformatorin energjetik. Ky mekanizëm sigurie veproi automatikisht, në përputhje me standardet teknike, duke e nxjerrë njësinë jashtë operimit për të shmangur rreziqe më të mëdha. KEK bëri të ditur se ekipet teknike kanë nisur menjëherë verifikimet për identifikimin e shkakut dhe sanimin e situatës.
Në atë moment, korporata theksoi se sistemi elektroenergjetik vazhdonte të operonte në mënyrë të qëndrueshme, me katër njësi aktive: A4, A5, B1 dhe B2, ndërsa njësia e pestë do të aktivizohej vetëm sipas nevojës dhe parametrave teknikë.
Vetëm dy ditë më pas, një tjetër njoftim konfirmoi se edhe Njësia B2 është ndalur nga operimi, kësaj radhe jo për shkak të një defekti emergjent, por për t’iu nënshtruar një kontrolli teknik të domosdoshëm. Kjo njësi kishte operuar pa ndërprerje që nga fundi i tetorit 2025, duke realizuar rreth 2,000 orë punë apo mbi 80 ditë operim kontinual.
Sipas KEK-ut, ndërhyrja ishte e nevojshme për të vlerësuar gjendjen teknike të njësisë, për rifreskimin e parametrave operativë dhe për të garantuar vazhdimësinë e sigurt të prodhimit.
Gjatë ndalesës, e cila pritet të zgjasë rreth 48 orë, po realizohen gjithashtu edhe sanime në disa gypa të kaldajës ku janë evidentuar rrjedhje, me synim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në operimin e mëtejmë të njësisë.
Zhvillimet e fundit tregojnë se operimi me pesë njësi prodhuese, i prezantuar vetëm disa ditë më parë si një gjendje e rrallë dhe regjim maksimal, rezultoi jetëshkurtër. Ato nxjerrin në pah ndjeshmërinë teknike të kapaciteteve ekzistuese prodhuese dhe varësinë e lartë të sistemit nga disponueshmëria e vazhdueshme e njësive të vjetra, të cilat kërkojnë ndërhyrje të shpeshta mirëmbajtjeje.



