Home / Lajme / Ndërkombëtare / Japonia përgatitet të rifillojë centralin bërthamor më të madh në botë

Japonia përgatitet të rifillojë centralin bërthamor më të madh në botë

Aktiviteti rreth impiantit bërthamor Kashiwazaki-Kariwa ka arritur kulmin. Punëtorët po heqin dheun për të zgjeruar një rrugë kryesore, ndërsa kamionë të shumtë hyjnë në një zonë të ruajtur rreptësisht. Një gardh i gjatë rrethues është i mbështjellë me spirale të panumërta telash me gjemba dhe, në një vendkalim të ngushtë, një automjet patrullimi policor monitoron vizitorët në plazh – një nga të paktat vende prej nga reaktorët mund të shihen qartë, me malin Yoneyama të mbuluar me borë në sfond.

Kur të shtatë reaktorët janë në funksion, Kashiwazaki-Kariwa prodhon 8.2 gigavat energji elektrike, mjaftueshëm për të furnizuar me energji miliona familje. Duke shtrirë aktivitetin në një sipërfaqe prej 4.2 kilometrash katrorë në prefekturën Niigata, në bregdetin e Detit të Japonisë, ky është termocentrali bërthamor më i madh në botë.

Megjithatë, që nga viti 2012, centrali nuk ka prodhuar asnjë vat energjie. Ai u mbyll, bashkë me dhjetëra reaktorë të tjerë, pas shkrirjes së trefishtë të karburantit në mars të vitit 2011 në Fukushima Daiichi – aksidenti më i rëndë bërthamor që nga katastrofa e Çernobilit.

I ndodhur rreth 220 kilometra në veriperëndim të Tokios, centrali Kashiwazaki-Kariwa menaxhohet nga Tokyo Electric Power (Tepco), e njëjta kompani përgjegjëse për impiantin e Fukushimës, i cili u godit nga një cunami shkatërrues. Valët përmbytën sistemet mbrojtëse, shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe çuan në shkrirjen e tre reaktorëve, duke detyruar rreth 160 mijë njerëz të evakuoheshin.

Vetëm disa javë para 15-vjetorit të aksidentit dhe katastrofës më të gjerë të cunamit që mori jetën e rreth 20 mijë personave përgjatë bregdetit verilindor të Japonisë, Tepco po përgatitet të sfidojë opinionin publik dhe të rifillojë punën e një prej shtatë reaktorëve në Kashiwazaki-Kariwa.

Të hënën, kompania njoftoi se rinisja do të shtyhej, pasi një alarm kishte shfaqur defekt gjatë testimit të pajisjeve në fundjavë, raportoi transmetuesi publik NHK. Reaktori pritet të vihet sërish në punë në ditët në vijim.

Rindezja e reaktorit nr. 6, që mund të rrisë furnizimin me energji për zonën e Tokios me rreth 2%, konsiderohet një moment kyç në rikthimin gradual të Japonisë drejt energjisë bërthamore. Qeveria argumenton se kjo strategji është thelbësore për arritjen e objektivave të emetimeve dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.

Por për shumë nga 420 mijë banorët që jetojnë brenda një rrezeje prej 30 kilometrash nga centrali – dhe që do të duhej të evakuoheshin në rast incidenti rikthimi i Tepco-s në prodhimin e energjisë bërthamore mbart rreziqe serioze.

Mes tyre është edhe Ryusuke Yoshida, i cili jeton më pak se dy kilometra larg centralit, në fshatin e qetë Kariwa. I pyetur se çfarë e shqetëson më shumë për rinisjen, 76-vjeçari përgjigjet shkurt: “Gjithçka”, thotë ai, ndërsa valët përplasen në breg dhe reaktorët duken në sfond.

“Planet e evakuimit janë qartësisht joefektive,” shton Yoshida, qeramist dhe anëtar i një shoqate banorësh që jetojnë pranë centralit. “Në dimër, kur bie borë, rrugët bllokohen dhe shumica e njerëzve këtu janë të moshuar. Çfarë ndodh me ta, apo me ata që nuk mund të lëvizin vetë? Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut.”

Tepco thotë se ka nxjerrë mësime nga aksidenti i Fukushimës dhe, në fillim të këtij viti, u zotua të investojë 100 miliardë jen (rreth 470 milionë paund) në prefekturën Niigata gjatë dekadës së ardhshme, për të fituar mbështetjen e komunitetit lokal.

Centrali Kashiwazaki-Kariwa, ku rreth 6,000 punonjës kanë qëndruar në detyrë gjatë gjithë periudhës së mbylljes, është pajisur me mure mbrojtëse kundër cunamit dhe dyer të papërshkueshme nga uji. Gjeneratorë të lëvizshëm me naftë dhe një flotë zjarrfikësish janë gati të furnizojnë me ujë sistemet e ftohjes në raste emergjente, ndërsa sisteme të përmirësuara filtrimi synojnë të kufizojnë përhapjen e materialeve radioaktive.

“Thelbi i industrisë bërthamore është siguria mbi të gjitha, dhe mirëkuptimi i banorëve vendas është një parakusht,” thotë Tatsuya Matoba, zëdhënës i Tepco-s.

Banorët, megjithatë, thonë se ky është pikërisht aspekti ku kompania ka dështuar. Autoritetet lokale kanë injoruar thirrjet për një referendum prefekturor mbi të ardhmen e centralit dhe, në mungesë të një votimi, aktivistët kundër rinisjes i referohen sondazheve që tregojnë kundërshtim të fortë publik.

Një anketë e qeverisë së prefekturës, e kryer në fund të vitit të kaluar, tregoi se më shumë se 60% e banorëve brenda rrezes 30-kilometërshe nuk besonin se kushtet për rinisjen e centralit ishin përmbushur.

“I marrim shumë seriozisht rezultatet e këtij sondazhi,” thotë Matoba. “Fitimi i besimit të komunitetit është një proces i vazhdueshëm, pa një pikë përfundimtare, që kërkon sinqeritet dhe përpjekje të pandërprera.”

Kazuyuki Takemoto, anëtar i këshillit të fshatit Kariwa, paralajmëron se aktiviteti i lartë sizmik në këtë rajon e bën të pamundur garantimin e sigurisë së plotë të centralit.

“Nuk ka pasur asnjë debat serioz për këtë,” thotë 76-vjeçari. “Thuhet se janë bërë përmirësime pas Fukushimës, por unë nuk shoh asnjë arsye të vlefshme për rinisjen e reaktorit. Për mua, kjo është e pakuptueshme.”

Shqetësimet janë shtuar edhe pas zbulimit se Chubu Electric Power kishte falsifikuar të dhëna mbi rrezikun sizmik gjatë një shqyrtimi rregullator, përpara një rinisjeje të mundshme të dy reaktorëve në centralin Hamaoka.

“Pas asaj që ndodhi me Hamaoka-n, a mund t’i besohet seriozisht industrisë bërthamore japoneze?” pyet Takemoto. “Dikur thuhej se energjia bërthamore ishte e domosdoshme, e sigurt dhe e lirë. Sot e dimë se ky ishte një iluzion.”

Shqetësimeve lokale u shtohen edhe çarjet sizmike në tokën përreth centralit, të cilat u dëmtuan gjatë një tërmeti me magnitudë 6.8 ballë në korrik 2007. Në atë kohë, një zjarr shpërtheu në një transformator dhe tre reaktorë që ishin në funksion u fikën automatikisht.

Rinisja e Kashiwazaki-Kariwa përbën gjithashtu një rrezik politik për qeverinë japoneze, e cila e ka vendosur rikthimin e energjisë bërthamore në qendër të strategjisë së saj të re energjetike.

Para katastrofës së Fukushimës, 54 reaktorë furnizonin rreth 30% të energjisë së vendit. Sot, nga 33 reaktorë funksionalë, vetëm 14 janë në shërbim, ndërsa përpjekjet për të rinisur të tjerët hasin kundërshtime të forta lokale.

Pesëmbëdhjetë vjet pas shkrirjes në Fukushima, kritikat ndaj asaj që njihet si “fshati bërthamor” – rrjeti i operatorëve, rregullatorëve dhe politikanëve – janë përqendruar tani në këtë qytet bregdetar të mbuluar me borë.

Duke treguar një nga kamerat e shumta të sigurisë pranë centralit, Yoshida thotë se rinisja u është imponuar banorëve nga industria bërthamore dhe aleatët e saj politikë. “Autoritetet lokale janë dorëzuar përballë presionit të madh të qeverisë qendrore,” thotë ai.

“Prioriteti i çdo qeverie duhet të jetë mbrojtja e jetës së njerëzve. Por ne ndiejmë se jemi mashtruar. ‘Fshati bërthamor’ i Japonisë është ende gjallë – mjafton të shohësh çfarë po ndodh këtu për ta kuptuar.”/The Guardian