Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut, KOSTT, ka marrë zyrtarisht pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt, ku do të ndërtohet sistemi i baterive me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike. Ky hap hap rrugën për nisjen e punimeve dhe për zbatimin e njërit prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike në Kosovë.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke formalizuar kalimin e pronësisë dhe duke mundësuar avancimin e projektit në kuadër të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Sistemi i baterive do të shërbejë për ruajtjen e energjisë elektrike në periudhat kur ka tepricë prodhimi, veçanërisht nga burimet e ripërtëritshme, dhe për kthimin e saj në rrjet në momentet kur kërkesa rritet. Kjo pritet të përmirësojë ndjeshëm stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të kontribuojë në uljen e kostove afatgjata për konsumatorët.
Projekti konsiderohet një tjetër dëshmi konkrete e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke sjellë investime strategjike në infrastrukturë moderne energjetike dhe duke forcuar kapacitetet e vendit për menaxhimin e tranzicionit energjetik.



