Home / Lajme / Kosova / House of Kosova organizon panel mbi sigurinë energjetike dhe tranzicionin në Davos

House of Kosova organizon panel mbi sigurinë energjetike dhe tranzicionin në Davos

House of Kosova ka njoftuar organizimin e panelit “Powering Growth Responsibly: Energy Security and Transition Pathways”, i cili do të mbahet më 21 janar në Davos, në kuadër të aktiviteteve që shoqërojnë Forumin Ekonomik Botëror. Paneli do të nisë në orën 16:30 dhe do të fokusohet në sfidat dhe rrugët e mundshme për sigurimin energjetik dhe tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Në panel do të marrin pjesë Artur Lorkowski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Andrew McDowell, drejtor gjeneral i EIB Global dhe ish-nënkryetar i Bankës Evropiane të Investimeve, si dhe Erez Vigodman, bashkëthemelues i kompanisë Terra-A dhe sipërmarrës ndërkombëtar, raporton Energy Monitor.

Diskutimi do të moderohet nga Shane Szarkowski, kryeredaktor dhe drejtor ekzekutiv i Diplomatic Courier.

House of Kosova është një platformë e përkohshme prezantuese e Kosovës në Davos, e krijuar për të promovuar vendin si destinacion për investime, inovacion dhe partneritete ndërkombëtare. Ajo shërben si hapësirë për diskutime politike, ekonomike dhe sektoriale, duke sjellë së bashku vendimmarrës, investitorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shkruan Energy Monitor.

Paneli mbi energjinë vjen në një moment kur çështjet e sigurisë energjetike, tranzicionit të drejtë dhe financimit të gjelbër janë në qendër të debatit global, veçanërisht për vendet e Evropës Juglindore që përballen njëkohësisht me nevojën për zhvillim ekonomik dhe dekarbonizim.