Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, duke theksuar se një kontribut i vogël nga secili është i rëndësishëm për sigurinë energjetike të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rizvanolli ka vlerësuar punën e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke theksuar se ata po punojnë pa u kursyer në kushte të vështira për të mbajtur sistemin funksional. Sipas saj, në këtë situatë, përgjegjësia e qytetarëve është shumë më e thjeshtë: kursimi i energjisë elektrike.
“Punëtorët e KEK-ut nuk kursejnë veten në kushte të vështira pune – ndërsa ne vetëm duhet të kursejmë pak energji elektrike – për të kontribuuar në sigurinë energjetike”, ka shkruar Rizvanolli.
Thirrja e ministres vjen në një kohë kur sistemi elektroenergjetik po përballet me vështirësi në balancimin e kërkesës dhe furnizimit, si dhe me rikthimin e reduktimeve në disa zona.
Institucionet energjetike kanë theksuar se kursimi i energjisë nga ana e konsumatorëve mund të ndihmojë në lehtësimin e ngarkesës dhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit.



