Në kuadër të aktiviteteve dhe shumë takimeve në Shtëpinë e Kosovës në Davos, Kryeministri Albin Kurti ka pritur ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erkki Keldo, në një takim ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Në takim, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u theksua vullneti i përbashkët për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, me fokus të veçantë në sektorë me potencial të lartë zhvillimi dhe investimi. Teknologjia, energjia e ripërtëritshme, infrastruktura dhe shërbimet digjitale u identifikuan si fusha prioritare për bashkëpunim të ardhshëm dhe përfshirje të kompanive estoneze në tregun e Kosovës.
Sipas Kryeministrit Kurti, Kosova ofron mundësi konkrete për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorë që mbështesin tranzicionin energjetik dhe digjitalizimin e ekonomisë. Nga ana tjetër, përvoja e Estonisë në shërbimet digjitale dhe inovacionin teknologjik u vlerësua si një model i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ekonomike të Kosovës.
Takimi në Davos u cilësua si një hap i radhës në përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar partneritete strategjike me vende që kanë ekspertizë të avancuar në teknologji dhe ekonomi të gjelbra, në funksion të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.



