Kompania austriake Verbund Green Power, pjesë e grupit energjetik VERBUND dhe e fokusuar në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ka nënshkruar një marrëveshje afatgjatë me prodhuesin e turbinave të erës Nordex Group për furnizimin me turbina onshore, me një kapacitet të përgjithshëm potencial deri në 700 megavatë në disa vende evropiane.
Marrëveshja, e nënshkruar në Madrid në mesin e janarit, do të jetë në fuqi deri në vitin 2030 dhe synon të mbulojë rreth gjysmën e portofolit aktual të projekteve të energjisë së erës që Verbund Green Power ka në zhvillim. Në kuadër të saj, parashihet furnizimi me deri në 105 turbina ere, të destinuara për projekte në Austri, Gjermani, Spanjë, Itali, Rumani dhe Shqipëri.
Sipas palëve, turbinat që do të instalohen janë të gjeneratës së fundit, me kapacitet rreth 7 MW për njësi, duke rritur efikasitetin dhe duke ulur koston për megavat të instaluar. Nordex ka vlerësuar se kjo marrëveshje krijon një bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve të reja të energjisë së erës në Evropë gjatë viteve në vijim.
Nga ana e saj, Verbund Green Power ka theksuar se ky partneritet me Nordex forcon sigurinë e furnizimit dhe mbështet objektivat strategjike të grupit për zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së pastër. Sipas strategjisë së kompanisë, energjia e erës dhe ajo diellore synohet të përbëjnë rreth një të katërtën e prodhimit total të energjisë së VERBUND-it deri në vitin 2030.



