Home / Lajme / Kosova / KEK reagon serish ndaj Janina Ymerit: Pretendimi se KEK “nuk ka pasur plan për vitin 2025” është absolutisht i pavërtetë

KEK reagon serish ndaj Janina Ymerit: Pretendimi se KEK “nuk ka pasur plan për vitin 2025” është absolutisht i pavërtetë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar pas deklaratave të fundit të znj. Janina Ymeri, e cila ka vënë në dyshim planin vjetor të prodhimit të energjisë për vitin 2025 dhe ka nxjerrë në pah dallime midis draftit të KOSTT-it dhe versionit të ZRRE-së.

Sipas KEK, pretendimi se korporata “nuk ka pasur plan për vitin 2025” është i pavërtetë. KEK sqaron se Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike për vitin 2025 është përgatitur dhe dorëzuar brenda afateve ligjore, përfshirë versionin e reviduar më 17 janar 2025, dhe se nga ky bilanc rezulton se KEK ka realizuar 97% të objektivit të planifikuar, njofton Energy Monitor.

Në reagimin e saj, KEK thekson se korporata nuk ka përgjegjësi për planifikimin kombëtar të prodhimit, miratimin e bilanceve finale, rregullimin e tarifave apo vonesat në proceset rregullative. “Çdo përpjekje për t’i atribuar këto përgjegjësi KEK-ut është keqinterpretim i qartë i ligjit,” thuhet në njoftim.

KEK gjithashtu sqaron disa fakte të pakontestueshme: faturat për qytetarët nuk lëshohen nga KEK, çmimi i energjisë së prodhuar nga KEK që nga viti 2019 është 29.5 €/MWh dhe KEK nuk ka përfituar nga rritja e tarifave për konsumatorët fundor.

Në përfundim, KEK bën thirrje që institucionet kompetente të drejtësisë të shqyrtojnë këto deklarime në mënyrë të paanshme dhe të bazuara në fakte, duke theksuar se transparenca dhe respektimi i ligjit mbeten prioritetet e saj, njofton Energy Monitor.

Ky reagim vjen pas pretendimeve të znj. Ymeri në media, ku ajo ka ngritur shqetësime mbi dallimet në parashikimet e prodhimit të energjisë mes draftit të KOSTT-it dhe versionit të ZRRE-së për vitin 2025, duke sugjeruar se ndryshimet mund të kenë ndikim ekonomik dhe të kërkojnë transparencë më të madhe në procesin e planifikimit.

/Energy Monitor