Home / Lajme / Ndërkombëtare / Samiti i Detit të Veriut me pakt për energjinë e erës

Samiti i Detit të Veriut me pakt për energjinë e erës

Ka rreth 1.600 turbina ere para brigjeve gjermane. Të tjera do të shtohen deri në 2050. Deri atëherë, prodhimi i energjisë së erës në Detin e Veriut do të jetë dhjetëfishsuar. Për këtë ranë dakord ministrat e Energjisë.

Deti i Veriut është një zonë e ashpër, por ofron mundësi të mëdha, tha të hënën pasdite Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU). Si një nyje për prodhiminin e energjisë elektrike, ai mund ta bëjë Evropën më të pavarur nga furnizuesit e tjerë të energjisë, të sigurojë çmime të përballueshme për konsumatorët dhe të bëjë industrinë vendase konkurruese në afat të gjatë, sipas Merz-it.

Ministrat e Energjisë nënshkruajnë marrëveshjen

Paradite, ministrat e energjisë të shteteve bregdetare të Detit të Veriut nënshkruan një marrëveshje që, ndër të tjera, parashikon lidhjen e fermave eolike detare me disa shtete bregdetare.

“Qëllimi ynë është të zhvillojmë nyjën më të madhe energjetike në botë,” tha Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche (CDU). Sipas Ministrisë gjermane të Ekonomisë, pritet të vihet në dispozicion një kapacitet gjenerimi ndërkufitar deri në 100 gigavat. Me garancinë përtej vitit 2030, industrisë së erës dhe rrjetit i jepet siguri planifikimi dhe investimi.

Gati dhjetë miliardë euro investime dhe 91.000 vende pune

Si këmbim, sektori angazhohet të reduktojë kostot e përgjithshme të prodhimit të energjisë elektrike me 30% deri në vitin 2040. Për më tepër, deri në vitin 2030, do të investohen 9.5 miliardë euro në kapacitete të reja prodhuese në Evropë dhe do të krijohen 91.000 vende pune shtesë.

Sipas të dhënave të shoqatës evropiane Wind Europe, energjia e erës detare tashmë mund të furnizojë me energji elektrike 32 milionë familje. Me 300 gigavat në vitin 2050, ky numër mund të rritet në mbi 330 milionë.

Në kuadër të samitit të Detit të Veriut, operatorët e rrjetit “National Grid Ventures” nga Britania e Madhe dhe “Tennet Deutschland” gjithashtu njoftuan se do të lidhin ferma eolike detare gjermane dhe britanike.

Rritje e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike

Me zgjerimin e prodhimit të energjisë së erës, do të forcohet edhe siguria e infrastrukturës energjetike në Detin e Veriut.” Jo vetëm që nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës kemi parë një rritje të sulmeve ndaj infrastrukturës sonë kritike,” tha Reiche. Rrjetet e energjisë, tubacionet e naftës dhe kabllot e rëndësishme të të dhënave, të cilat janë thelbësore për sovranitetin digjital të kontinentit, janë nën goditje. Për herë të parë, në samit NATO-ja u përfaqësua në një nivel të lartë.

Si qyteti nikoqir i Samitit të Detit të Veriut, Hamburgu mund të përfitojë drejtpërdrejt nga vendimet e marra atje, sipas kryebashkiakut Peter Tschentscher (SPD). Tschentscher tha se shumica e projekteve gjermane të energjisë së erës në det të hapur menaxhohen tashmë nga Hamburgu.

Starmer dhe Macron nuk morën pjesë

Në samit u ftuan Belgjika, Danimarka, Franca, Britania e Madhe, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Komisioni Evropian, si dhe, për herë të parë, Islanda dhe NATO, përveç përfaqësuesve të kompanive. Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron u përfaqësuan nga ministrat e tyre të energjisë.

Moti ndikon rrjedhën e samitit

Ndërkohë, bora dhe akulli ndikuan në samitin e Detit të Veriut. Një takim i ministrave të energjisë në një anije me shumë objektiva në portin e Hamburgut u desh të anulohej në nisje, për shkak të problemeve me motin. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kreu i qeverisë së Luksemburgut Luc Frieden gjithashtu nuk mundën të arrinin në kohë për fillimin e takimit me Kancelarin Federal Merz në “Neuwerk”, i cili përdoret, ndër të tjera, si anije akullthyese.

Moti dimëror kishte ndikuar tashmë në program para samitit. Anija kërkimore “Atair” ishte në plan që të vizitohej, por ajo nuk mundi të hynte në portin e Hamburgut për shkak të motit të keq.

Zhvillimi i energjisë së erës në Evropë ka ngecur

Së fundmi, zhvillimi i turbinave të erës në det të hapur ka ngecur në të gjithë Evropën. Nga këndvështrimi i industrisë, kjo i detyrohet, ndër të tjera, faktit që rreziku financiar është i vështirë për t’u llogaritur dhe që, deri tani, Evropa nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të ndërtuar dhe instaluar vetë turbinat e erës.

/dw.com