Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria drejt pavarësisë dhe eksportit të energjisë

Shqipëria drejt pavarësisë dhe eksportit të energjisë

Shqipëria po përgatitet për të nisur një hap historik në sektorin energjetik, duke hartuar projekte për kapacitete të reja prodhimi dhe depozitimi.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Shqipëria është gati për nisjen e projekteve që do të shtojnë më shumë se 1,500 Megavat energji të pastër nga burime diellore dhe erë, si dhe mbi 1,600 MW kapacitete të reja depozituese me bateri. Ky plan strategjik, i quajtur “Transformimi Energjetik 2030”, shënon kalimin nga faza e projektimeve të shpërndara në një fushatë të koordinuar për të krijuar një sistem të pavarur dhe eksportues. Projekti synon të shmangë varësinë e vendit nga importet në periudhat e thata dhe ta shndërrojë Shqipërinë në një aktor kyç në tregun rajonal të energjisë. Sipas zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku parku eolik i Tropojës është një simbol i transformimit të Shqipërisë drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe inovative.

 “Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik. Ai është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes, falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Shqipëria po kalon në një model modern dhe të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve është bërë domosdoshmëri strategjike. Ky tranzicion real po ndryshon çdo ditë hartën energjetike të vendit me shifra dhe kapacitete konkrete.

 “Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet deri para pak vitesh, në një model modern, të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjidhje, por është domosdoshmëri strategjike. Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim. Është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete, i matshëm me megavatorë, që ndryshojnë hartën energjetike të vendit”, deklaroi Balluku.

Më shumë se 2 miliardë euro investime private kanë krijuar mbi 700 MW kapacitete fotovoltaike dhe 400 MW vetëprodhuese. Në të ardhmen, portofoli projektesh premton shtimin e më shumë se 1,500 MW burime të rinovueshme dhe mbi 1,600 MË kapacitete depozitimi.

 “Gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese private fotovoltaike të instaluara dhe që ndodhen në operim, si dhe 400 MW kapacitete të shtuara vetë prodhuese. Kemi gjithashtu një portofol projektesh që në vitet e ardhshme pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1,500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike.  Gjithashtu kemi mbi 1,600 MW kapacitete të reja depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar”, shtoi Balluku.

Këto investime rrisin prodhimin vendas, ulin varësinë nga importet dhe përmirësojnë sigurinë energjetike. Ato janë gjithashtu motor ekonomik, duke krijuar punë, sjellë teknologji dhe fuqizuar ekonominë lokale.

 “Këto investime private kanë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin energjetik shqiptar, duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë. Ulin varësinë nga importet, veçanërisht në vitet e thata. Përmirësojnë sigurinë energjetike të vendit. Në të njëjtën kohë, këto investime private nuk janë thjesht projekte energjetike. Janë investime që krijojnë vende pune, investime që sjellin teknologji dhe “know-how”, investime që rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale”, tha Balluku.

Shqipëria tashmë lidhet me të gjithë fqinjët dhe po përfundon linjën kryesore drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo lidhje e fuqishme e transmetimit i garanton investitorëve akses jo vetëm në tregun ballkanas, por edhe në atë europian.

 “Linjat e transmetimit të Republikës së Shqipërisë, tashmë lidhen me të gjithë fqinjët tanë, duke shpresuar shumë që tashmë, që Shqipëria pothuajse e ka përfunduar të gjithë linjën që shkon në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë shumë që të njëjtën gjë të bëjë edhe shteti ynë fqinj dhe ta sjellë sa më parë linjën në kontakt, duke krijuar kështu vijimësinë e Korridorit të VIII. Shqipëria është një nga vendet më mirë të lidhura në sistemin e transmetimit që i jep kështu një garanci investitorëve të huaj, se duke ndërtuar parqet e tyre eolike apo fotovoltaike në Shqipëri, ata e kanë të garantuar tregun e lirë, jo vetëm ballkanas, por edhe atë evropian”, theksoi ministrja Balluku.

Sektori energjetik po e çon Shqipërinë drejt integrimit evropian, duke e vlerësuar atë si të parin në botë për qëndrueshmëri dhe si një nga sektorët më progresivë në raportin e Komisionit Evropian për 2025.

 “Sektori energjetik është gjithashtu një motor i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, si një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e klasifikuar Shqipërinë si të parën në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si dhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, të vlerësuar në Raportin e Progresit të Komisionit Europian të vitit 2025”, tha Balluku.

Të dhënat tregojnë përparim pasi humbjet në rrjet janë ulur në 16.9%, arkëtimet janë 100%, dhe kapaciteti gjenerues është rritur me 1500 MW. Kjo rritje e prodhimit mbulon një konsum vendas në rritje, të shtyrë nga industria dhe elektrifikimi i banesave të reja.

“Të dhënat e sistemit energjetik sot, në të gjitha segmentet e tij, tregojnë ecuri pozitive dhe rezultate konkrete të politikave sektoriale. Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, krahasuar me vitin 2013, kur ishin mbi 45%, kemi mbyllur vitin 2025 me 16.9%. Niveli i arkëtimeve në furnizim është 100%, krahasuar me vitin 2013 kur ishte nën 70%. Kapacitetet gjeneruese janë shtuar me 1,500 MW krahasuar me vitin 2013. Prodhimi i energjisë në vend vijon rritjen e përvitshme, duke siguruar gjithnjë e më shumë mbulim të konsumit vendas, i cili është rritur në mënyrë ekspansionale, jo vetëm për shkak të industrive të cilat vazhdojnë dhe përdorin në Republikën e Shqipërisë energjinë elektrike, por edhe të njësive të reja të banimit që tashmë ngrohjen e kanë me sisteme teknologjike të modernizuara”, tha ministrja Balluku.

Nëpërmjet këtij transformimi, Shqipëria nuk po ndërton vetëm një sistem energjetik më të pavarur, por po pozicionon veten si një nyje moderne dhe e qëndrueshme në hartën energjetike të Evropës.