Angazhimi i të rinjve në temat e energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit po dëshmon se e ardhmja e Kosovës po ndërtohet mbi ide të qëndrueshme dhe inovative. Kjo u reflektua qartë në konkursin “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, ku nxënës nga e gjithë Kosova prezantuan punime kreative kushtuar tranzicionit energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në këtë aktivitet, të mbajtur më 12 dhjetor 2025, pjesëmarrësit shprehën vizionin e tyre për një Kosovë më të gjelbër përmes eseve, pikturave dhe instalacioneve artistike. Punimet theksuan se ndryshimi fillon nga ide të vogla, por me ndikim të madh, duke treguar vetëdije të lartë për sfidat klimatike dhe rëndësinë e energjisë së pastër.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vlerësoi rolin e brezit të ri në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, duke theksuar se këto iniciativa janë dëshmi se Kosova po ecën në drejtimin e duhur drejt energjisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Vajza e djem të tillë që flasin për energjinë e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisin na bindin se e ardhmja e Kosovës është në rrugën e duhur. Në konkursin “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, nxënës nga e gjithë Kosova, me datën 12 dhjetor 2025, na treguan përmes eseve, pikturave dhe instalacioneve kreative se ndryshimi fillon me ide të vogla, por me zemër të madhe. Çdo punim ishte një hap më afër një Kosove më të gjelbër. Urime të gjithë pjesëmarrësve dhe fituesve, dhe faleminderit Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë – FKEE, mësimdhënësve dhe prindërve për mbështetjen e këtij brezi frymëzues“, ka shkruar Ministrja Rizvanolli në postimin në rrjete sociale.
Konkursi u mbështet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), ndërsa kontribut të rëndësishëm dhanë edhe mësimdhënësit dhe prindërit, të cilët inkurajuan nxënësit të shprehin kreativitetin dhe angazhimin e tyre qytetar. Aktiviteti konfirmon rëndësinë e edukimit dhe përfshirjes së të rinjve në politikat dhe vizionet afatgjata për energjinë dhe mjedisin në Kosovë.



