Home / Lajme / Ndërkombëtare / ContourGlobal hyn në tregun grek me projekte baterish dhe kapacitete të vogla fotovoltaike

ContourGlobal hyn në tregun grek me projekte baterish dhe kapacitete të vogla fotovoltaike

ContourGlobal ka hyrë në tregun energjetik grek, duke blerë kapacitete të vogla të energjisë diellore si dhe një portofol projektesh për ruajtjen e energjisë me bateri. Ky zhvillim shënon fillimin e pranisë së kompanisë në Greqi, një nga tregjet më dinamike të energjisë së ripërtëritshme në Evropën Juglindore.

Kompania ka përvetësuar 26 impiante fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 37 megavatësh, si dhe projekte të ruajtjes së energjisë me bateri me rreth 500 megavat kapacitete të instaluara dhe afërsisht 2 gigavat orë kapacitete ruajtjeje të energjisë, raporton Energy Monitor.

Një nga projektet kryesore është ai në Taxiarches, me kapacitet 100 MW dhe 400 MWh ruajtje, i cili pritet të hyjë në fazën e ndërtimit gjatë vitit 2026 dhe të fillojë operimin në vitin 2027.

ContourGlobal e vlerëson Greqinë si një treg strategjik për zhvillimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë dhe për përshpejtimin e integrimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme në sistemin energjetik.

Angazhimi i ContourGlobal në Kosovë: Nuk iu lejua të ndërtoj termocentralin e ri me qymyr

Ndryshe, ContourGlobal ishte përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr, ‘Kosova e Re’.

Madje, në fund të vitit 2017 Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar disa marrëveshje me kompaninë për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 500 megavatësh, e që do të kushtonte rreth 1.3 miliard euro, njofton Energy Monitor.

Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë, raporton Energy Monitor.

Në mars të po këtij viti, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

/Energy Monitor