Eksperti i energjisë dhe ish-drejtori ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Lazër Krasniqi, ka vlerësuar se ndërtimi i dy termocentraleve të reja me nga 500 megavat kapacitet secili, në kombinim me Hidrocentralin e Zhurit, paraqet zgjidhjen më të qëndrueshme për garantimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
Në një intervistë për Buletinin Ekonomik, Krasniqi ka theksuar se sistemi aktual energjetik i vendit është i mbingarkuar dhe i ekspozuar ndaj rreziqeve, për shkak të vjetërsisë së kapaciteteve ekzistuese dhe mungesës së investimeve strategjike afatgjata. Sipas tij, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” nuk mund të mbajnë barrën e furnizimit për një periudhë të gjatë, ndërsa varësia nga importi e bën Kosovën të cenueshme, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
Ai ka fajësuar keqmenaxhimin dydekadësh nga ndërkombëtarët dhe vendorët, “me kuadro jorelevante në lëmin e energjetikës, të cilët e avancuan korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës-KEK”.
Krasniqi thekson se, ndonëse zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme është i domosdoshëm, ato nuk mund të zëvendësojnë plotësisht kapacitetet bazë prodhuese, të cilat sigurojnë furnizim të vazhdueshëm dhe stabil me energji elektrike, njofton Energy Monitor.
Sipas tij, pa ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, Kosova do të vazhdojë të përballet me krizë energjetike dhe kosto të larta nga importi.
Sa i përket Hidrocentralit të Zhurit, Krasniqi e konsideron atë një projekt strategjik me rëndësi të veçantë, që do të kontribuonte jo vetëm në rritjen e kapaciteteve vendore, por edhe në balancimin e sistemit energjetik dhe rritjen e fleksibilitetit të tij.
Ai ka nënvizuar se çdo investim i madh në sektorin e energjisë duhet të shoqërohet me reforma institucionale, përmirësim të menaxhimit dhe planifikim afatgjatë, në mënyrë që siguria energjetike të mos mbetet vetëm një objektiv në letër, por të kthehet në realitet për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.
/Energy Monitor



