Dje u mbajt eventi i prezantimit të Barometrit të Gjelbër 2025, ku Instituti Atlas prezantoi instrumentin analitik që mat dhe krahason performancën mjedisore të 38 komunave të Kosovës.
Barometri i Gjelbër shërben si vegël për monitorim, transparencë dhe llogaridhënie publike, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi kapacitetet institucionale, planifikimin, financimin dhe performancën reale të komunave në fushën e mjedisit dhe efiçiencës së energjisë.
Në event morën pjesë edhe përfaqësues nga Komuna e Istogut, e cila sipas rezultateve të Barometrit të Gjelbër 2025 u rendit si komuna me performancën më të mirë në nivel vendi.
Pjesë e panelit bashkëbisedues ishin: Dukagjin Hoxhaj (Komuna e Istogut), Afrim Berisha (AMMK) dhe Sazan Ibrahimi (Asociacioni i Komunave të Kosovës). Diskutimi u fokusua te gjetjet e raportit, sfidat aktuale dhe hapat e nevojshëm për forcimin e qeverisjes mjedisore në nivel lokal.
Rekomandimet e dala nga paneli do të integrohen në Barometrin e radhës, që do të realizohet në pjesën e dytë të vitit 2026.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit Atlas dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e KCSF-së, SDC-së apo Suedisë.



