Gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, zhvilloi në Stuttgart një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të diasporës kosovare.
Takimi u zhvillua me fokus në mundësitë konkrete për investime në Kosovë dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes diasporës dhe bizneseve vendore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të kërkesave dhe nevojave të komunitetit kosovar në Gjermani, me qëllim krijimin e kushteve sa më të favorshme për rritjen e investimeve në vend, njofton Energy Monitor.
Një tjetër temë kryesore ishte tërheqja e bizneseve gjermane për të investuar në Kosovë, duke prezantuar potencialin ekonomik të vendit, fuqinë punëtore dhe mundësitë që ofron tregu për partneritete afatgjata dhe të qëndrueshme.
Oda Ekonomike e Kosovës konfirmoi përkushtimin e saj për fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë, duke i konsideruar këto lidhje një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
/Energy Monitor



