Home / Lajme / Ndërkombëtare / Sllovakia padit BE-në për ndalimin e importeve të gazit rus

Sllovakia padit BE-në për ndalimin e importeve të gazit rus

Sllovakia ka njoftuar se do të paraqesë një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED), për të kundërshtuar rregulloren e Bashkimit Evropian që ndalon importet e gazit natyror nga Rusia. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Robert Fico.

Sipas Ficos, rregullorja shkel parimin e subsidiaritetit, i cili u garanton shteteve anëtare të drejtën për të vendosur vetë mbi përzierjen e tyre energjetike. Ai e cilësoi këtë vendim si një shkelje të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Rregullorja, e miratuar një ditë më parë nga shumica e 27 vendeve anëtare të BE-së, parashikon përfundimin e importeve të gazit rus deri në fund të vitit 2027. Qëllimi i saj është të reduktojë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e gazit, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për të ushtruar presion ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Gjatë votimit, Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër, ndërsa Bullgaria abstenoi. Vendimi u miratua me votat pro të 24 shteteve anëtare. Hungaria ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmarrë hapa ligjorë kundër kësaj rregulloreje.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi më herët se masa përbën në thelb një sanksion të maskuar dhe jo një vendim tregtar, siç pretendohet nga Komisioni Evropian. Nëse do të ishte trajtuar si sanksion, vendimi do të kërkonte unanimitet, çka do t’i kishte dhënë Hungarisë dhe Sllovakisë mundësinë për ta bllokuar me veto.

Ndërkohë, ministrja sllovake e Ekonomisë, Denisa Sakova, bëri të ditur se vendi ka ulur varësinë nga gazi rus në 33% deri në muajin dhjetor, nga pothuajse 100% që ishte më parë.

Megjithatë, Sllovakia, si një vend pa dalje në det, nuk ka akses në terminale për gaz të lëngshëm (LNG), ndërsa industria dhe familjet vazhdojnë të varen në masë të madhe nga gazi për furnizimin me energji.