Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Regullatori vendos tarifë 0.03 euro/MWh për certifikatën e origjinës së energjisë së ripërtëritshme

Shqipëri: Regullatori vendos tarifë 0.03 euro/MWh për certifikatën e origjinës së energjisë së ripërtëritshme

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri vendosi se operatorët që do të marrin certifikatën e origjinës do të duhet të paguajnë një 0.03 euro/MWh.

Në një vendim të miratuar pak ditë më parë Enti argumenton se lëshimi i kësaj certifikate bëhet ndaj subjekteve që prodhojnë energji të rinovueshme. Ky Ent ka përllogaritur se sasia e përafërt e energjisë së prodhuar në vitin e shkuar ishte rreth 8 milionë MWh.

“Sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga burimet e rinovueshme të energjisë elektrike gjatë vitit 2025, bazuar në të dhënat paraprake të operatorëve të rrjetit, përllogaritet të jetë rreth 8 milionë MWh.

Për efekt të përcaktimit të vlerës së detyrimit për lëshimin e certifikatës së garancisë së origjinës për vitin 2026, do të llogaritet bazuar në 50% të sasisë së lartpërmendur ose 4 milionë MWh.

Në bazë të të dhënave të operatorëve të rrjetit për prodhimin nga burimet e rinovueshme gjatë vitit 2025, dhe në zbatim të nenit 21 të “Rregullores për lëshimin, transferimin, shlyerjen dhe anulimin e garancive të origjinës për energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme”, është përcaktuar sasia e energjisë që merret në konsideratë për llogaritjen e detyrimit për vitin 2026, duke reflektuar qasjen e parashikuar në Rregullore dhe kushtet aktuale të tregut” thuhet në parashtrimin e Entit.

Certifikata e garancisë së origjinës

Certifikata e garancisë së origjinës është një dokument që lëshohet nga Enti Rregullator i Energjisë. Ky është një standard i zbatuar edhe në Bashkimin Europian që siguron se një njësi energjie është prodhuar nga burime të rinovueshme energjie pra hidrocentrale, diellore apo eolike.

Certifikata konkretisht tregon burimin e energjisë, vendin e prodhimit, impiantin dhe datën e prodhimit. Kjo ka avantazhet e transparencës por edhe objektivave klimatike që janë vendosur në tregje në funksion të uljes së emetimeve por edhe vlerë për prodhuesit që e disponojnë më shumë në aspektin e reputacionit duke u kthyer në një kusht për bizneset e sektorit.

Certifikata e garancisë së origjinës kërkohet në shumë hallka duke luajtur rol domethënës në bursa ku tregtohet energjia dhe çmimet ndryshojnë./Monitor.al