Home / Lajme / Kosova / Tarifat e rrymës drejt rritjes? KESCO kërkon mbi 528 milionë euro të hyra për vitin 2026

Tarifat e rrymës drejt rritjes? KESCO kërkon mbi 528 milionë euro të hyra për vitin 2026

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë mund të përballet me rritje tarifash për vitin 2026, pasi KESCO, Furnizuesi me Shërbim Universal, ka dorëzuar në ZRRE kërkesën e saj për të hyrat e lejuara maksimale, në shumën prej 528.78 milionë euro. Ky dokument përmbledh kostot e blerjes së energjisë, tarifat e rrjetit, shpenzimet operative dhe korrigjimet nga vitet e kaluara, dhe tregon një rritje të ndjeshme krahasuar me të hyrat e miratuara për vitin 2025, prej rreth 436 milionë euro, duke sugjeruar mundësinë e një rritjeje tarifore prej afërsisht 20–22% për konsumatorët, nëse shumica e kostove të KESCO-s aprovohen. Megjithatë, vendimi final i ZRRE-së mund të ndryshojë pasi rregullatori do të shqyrtojë edhe të hyrat e lejuara maksimale të operatorëve të tjerë në Kosovë dhe do të përcaktojë nivelin përfundimtar të tarifave për vitin e ardhshëm, duke reflektuar realitetin e kostove të furnizimit dhe rrjetit, raporton Energy Monitor.

Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU), përkatësisht kompania KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale (MAR) për vitin 2026, duke kërkuar gjithsej 528.78 milionë euro, një shumë që sinjalizon presion serioz për rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.

Dokumenti, i hartuar në janar të vitit 2026 dhe pjesë e procesit të rregullt tarifor, përshkruan në detaje kostot që KESCO thotë se janë të domosdoshme për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për konsumatorët që vazhdojnë të jenë në shërbim universal. Ky aplikim nuk përcakton drejtpërdrejt tarifa të reja, por shërben si bazë mbi të cilën ZRRE vendos nëse çmimi aktual i rrymës mbulon realisht kostot apo nëse nevojiten rritje, raporton Energy Monitor.

Sipas dokumentit, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike për konsumatorët në shërbim universal në vitin 2026 parashikohet të arrijë në 4,665 GWh, me peshën kryesore që vazhdon ta mbajnë amvisëritë. Rritja e konsumit, e kombinuar me kufizimet në prodhimin vendor, ka shtyrë KESCO-n të planifikojë blerje më të mëdha të energjisë nga importi.

Një nga arsyet kryesore për rritjen e kostove, sipas aplikimit, është disponibiliteti i kufizuar i prodhimit vendor nga KEK-u. Pas remontit të njësisë Kosova B2 gjatë vitit 2025, në vitin 2026 parashihet rehabilitimi i njësisë Kosova B1 për rreth tetë muaj, çka pritet ta zvogëlojë ndjeshëm prodhimin vendor dhe ta rrisë varësinë nga importi, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.

Edhe pse importi parashihet të mbulojë rreth 9 për qind të energjisë së nevojshme, ai përbën pothuajse 29 për qind të kostos totale të furnizimit, për shkak të çmimeve dukshëm më të larta në tregjet rajonale dhe evropiane. Sipas KESCO-s, vetëm kostot e blerjes së energjisë me shumicë për vitin 2026 arrijnë në 229.04 milionë euro.

Përveç energjisë, një peshë të madhe në kërkesën financiare e zënë edhe kostot e rrjetit. Në aplikim parashihet një rritje lineare prej 20 për qind e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes, duke çuar kostot e bartshme në 227.94 milionë euro. KESCO thekson se kjo rritje është një supozim informues, por paralajmëron se çdo vendim i ZRRE-së për tarifat e rrjetit do të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e konsumatorëve, përcjell Energy Monitor.

Një element veçanërisht i ndjeshëm i aplikimit është faktori korrigjues prej rreth 49.5 milionë euro, i cili lidhet me diferencën ndërmjet kostove reale dhe të hyrave të mbledhura gjatë vitit 2025. KESCO argumenton se rritja e konsumit, importi më i lartë se sa ishte planifikuar dhe vështirësitë gjatë procesit të liberalizimit të tregut kanë krijuar kosto që nuk janë mbuluar nga tarifat aktuale dhe që tani kërkohen të bartën në vitin 2026.

Në total, kërkesa për 528.78 milionë euro përfshin blerjen e energjisë, kostot e rrjetit, shpenzimet operative, si dhe korrigjimet nga vitet paraprake. Sipas KESCO-s, mosnjohja e këtyre kostove rrezikon stabilitetin financiar të shërbimit universal dhe, rrjedhimisht, sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Vendimi final tani mbetet në duart e ZRRE-së, e cila do të shqyrtojë aplikimin gjatë javëve në vijim dhe do të vendosë se sa nga këto kosto do të pranohen si të arsyeshme. Për konsumatorët, ky proces pritet të jetë përcaktues: nëse shumica e kërkesës aprovohet, rritja e tarifave për vitin 2026 bëhet pothuajse e pashmangshme; nëse jo, hendeku financiar rrezikon të thellohet edhe më tej, duke u bartur në vitet pasuese.

A po kërkon (vetëm) KESCO rritje prej rreth 20-22% të çmimit të rrymës?

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare dhe vendimet e ZRRE-së për periudhën 2025–2026, mund të bëhet një projekcion i rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2026.

Për vitin 2025, ZRRE miratoi një rritje mesatare tarifore prej rreth 16% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, pas kërkesave të operatorëve për të hyrat e lejuara maksimale, duke përfshirë KESCO-n, KEDS-in dhe KOSTT-in.

Ndërsa kërkesat fillestare e parashikonin një rritje deri në 35%, ZRRE e reduktoi në rreth 16%, dhe tarifat e reja hynë në fuqi rreth majit 2025, raporton Energy Monitor.

Për vitin 2026, KESCO ka kërkuar të hyrat maksimale prej 528.78 milionë euro, një rritje e ndjeshme krahasuar me 436 milionë eurot e miratuara për vitin 2025.

Kjo rritje prej rreth 92.78 milionë eurosh përkthehet në një rritje të mundshme tarifore prej afërsisht 20–22%, nëse ZRRE miraton shumicën e këtyre kostove si të arsyeshme.

Rezultati final do të varet nga vendimi i ZRRE-së, por projekcioni aktual tregon se tarifat për vitin 2026 mund të rriten ndjeshëm krahasuar me nivelin e vendosur për vitin 2025.

/Energy Monitor