Home / Lajme / Kosova / Tarifat e rrymës nën presion edhe nga transmetimi: KOSTT kërkon 99.4 milionë euro për vitin 2026, rreth 12% më shumë se në vitin paraprak

Tarifat e rrymës nën presion edhe nga transmetimi: KOSTT kërkon 99.4 milionë euro për vitin 2026, rreth 12% më shumë se në vitin paraprak

Procesi tarifor për energjinë elektrike në Kosovë për vitin 2026 po thellohet edhe më tej, pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Tregut, KOSTT, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikimin për azhurnimin vjetor të të hyrave të lejuara maksimale (MAR).

Sipas dokumentit zyrtar, KOSTT kërkon që për vitin 2026 t’i njihen të hyra në vlerë prej 99.38 milionë euro, duke sinjalizuar presion shtesë mbi strukturën e përgjithshme të tarifave të energjisë elektrike.

Kërkesa e re përfaqëson një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2025, kur ZRRE i kishte miratuar KOSTT-it 88.2 milionë euro të hyra të lejuara.

Diferenca prej rreth 11.2 milionë eurosh, apo 12–13% më shumë, reflekton, sipas KOSTT-it, nevojën për të mbuluar kostot operative, shpenzimet e humbjeve në transmision, shërbimet ndihmëse për balancimin e sistemit dhe investimet e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin e rrjetit të transmetimit.

Në aplikim theksohet se rritja e kërkesës për energji, integrimi në rritje i burimeve të ripërtëritshme dhe operimi i Kosovës si zonë e pavarur balancuese në kuadër të ENTSO-E-së kanë rritur ndjeshëm kostot e shërbimeve ndihmëse dhe të balancimit të sistemit. Vetëm këto shërbime parashihen të kushtojnë dhjetëra miliona euro në vitin 2026, duke përbërë një nga zërat kryesorë të kërkesës financiare, përcjell Energy Monitor.

Ndryshe nga furnizimi me energji, komponenta e transmetimit përbën një pjesë më të vogël të faturës finale të konsumatorëve. Megjithatë, rritja e kërkuar e MAR-it të KOSTT-it pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tarifat e transmetimit.

Duke u bazuar në strukturën aktuale tarifore, nëse ZRRE e miraton kërkesën në tërësi, kjo mund të përkthehet në rreth 2–3% rritje shtesë të çmimit final të energjisë elektrike për vitin 2026.

Ky ndikim bëhet veçanërisht i rëndësishëm kur kombinohet me kërkesat shumë më të mëdha të KESCO-s për furnizim dhe me tarifat e shpërndarjes, duke krijuar një presion të akumuluar mbi faturat e konsumatorëve. Edhe pse KOSTT nuk është faktori kryesor i rritjes së çmimit të rrymës, kërkesa e tij kontribuon qartazi në trendin rritës të tarifave.

Vendimi final tani mbetet në duart e ZRRE-së, e cila pritet t’i shqyrtojë aplikimet e të gjithë operatorëve gjatë javëve në vijim. Nëse rregullatori ndjek qasjen e vitit 2025 dhe redukton kërkesat fillestare, ndikimi në tarifa mund të zbutet. Në të kundërtën, miratimi i plotë i kërkesës së KOSTT-it do ta bëjë rritjen e çmimit të energjisë për vitin 2026 edhe më të vështirë për t’u shmangur.

/Energy Monitor