Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike me rreth 20 për qind për vitin 2026, duke e cilësuar situatën si pasojë të keqmenaxhimit të sektorit energjetik.
Sipas Hotit, gjatë katër viteve të fundit energjia elektrike është shtrenjtuar katër herë, ndërsa dy projekte të mëdha strategjike për prodhimin e energjisë – “Kosova e Re” dhe projekti i gazit – janë anuluar. Ai thekson se, përkundër këtyre zhvillimeve, qytetarët vazhdojnë të përballen me deklarata që, sipas tij, nënvlerësojnë realitetin ekonomik dhe barrën financiare mbi familjet.
“Në vend të përgjegjësisë, vazhdon tallja me qytetarët, duke u thënë se nuk e kanë ditur sa kanë paguar për energji apo se po i mbajnë shtëpitë shumë të nxehta. Ndërkohë, mijëra familje janë të detyruara të blejnë dru me çmime dyfish më të larta, sepse nuk kanë mundësi të instalojnë ngrohje me energji elektrike,” ka shkruar Hoti.
Ai përfundon se bilanci i qeverisjes aktuale, sipas tij, përkthehet në fatura më të larta të energjisë, standard më të ulët jetese dhe mungesë të plotë të llogaridhënies.



