Drejtoria e Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit zyrtar, Bislimoski dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Energjetikës dhe Rregulloren për Licencim. Edhe pse kishte detyrim ligjor të niste procedurën për revokimin e licencës së një kompanie për aktivitete energjetike dhe tregti me shumicë të derivateve të naftës dhe karburanteve, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë në kohën e duhur.
Në vend që të procedonte me revokimin e licencës së kompanisë “TRITEROL PETROL DOOEL” nga Shkupi për shkak të mospërmbushjes së kushteve ligjore, Bislimoski ka nxjerrë një vendim të paligjshëm për ndërprerjen e procedurës. Licenca, e cila sipas ligjit duhej të revokohej më 15 janar 2024, është revokuar vetëm më 14 prill 2025, duke krijuar një vonesë të konsiderueshme në zbatimin e ligjit.
Si pasojë e këtij veprimi, kompania dyshohet se ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetet energjetike për rreth 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka pasur mundësi të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik dhe të lidhë kontrata, ndonëse, sipas pretendimeve, nuk i përmbushte më kriteret ligjore për të operuar.
“Me veprimet e lartpërmendura, i dyshuari ka shkelur rregulloret që ishte i detyruar t’i zbatojë dhe i ka mundësuar personit juridik TRITEROL PETROL SHPK Shkup të realizojë një qarkullim total prej 194.520.962,00 denarësh dhe të përfitojë dobi të paligjshme pasurore në shumë prej 14.093.576 denarësh”, sqarojnë nga KRRE.



