Home / Lajme / Kosova / KMDLNj kundër shtrenjtimit të rrymës: Vendimi po përgatitet në dëm të qytetarëve dhe bizneseve

KMDLNj kundër shtrenjtimit të rrymës: Vendimi po përgatitet në dëm të qytetarëve dhe bizneseve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 21.6 për qind, duke paralajmëruar se ZRrE pritet ta miratojë këtë shtrenjtim në favor të operatorëve dhe në dëm të qytetarëve.

Sipas KMDLNj-së, ky proces po zhvillohet njësoj si herët e kaluara, pa marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve dhe bizneseve në Kosovë. Organizata akuzon edhe kryeministrin Albin Kurti se është rreshtuar hapur në anën e ZRrE-së dhe kompanive energjetike, duke u tallur me qytetarët për mënyrën se si shpenzojnë energjinë për ngrohje.

KMDLNj thekson se rritja e çmimit të rrymës do të thellojë varfërinë dhe do të përshpejtojë falimentimin e shumë bizneseve, duke shkaktuar zinxhir rritjeje të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve.

Në komunikatë kërkohet mobilizim qytetar dhe protesta sociale për të kundërshtuar shtrenjtimin, si dhe zhdëmtim për faturat e fryra gjatë viteve të kaluara. Po ashtu, organizata i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë ZRrE-në dhe operatorët energjetikë për abuzime, licencime të dyshimta dhe moskompensim të dëmeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

“Kush nuk i mbron të drejtat e veta, askush nuk do t’ia mbrojë”, thuhet në fund të reagimit, duke ftuar qytetarët të organizohen për të kundërshtuar varfërimin e vazhdueshëm.