Vëllimi i tregtimit të energjisë elektrike në tregun para-ditor të ALPEX ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke konfirmuar konsolidimin e bursës së përbashkët të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, sasia totale e energjisë së tregtuar ka arritur rreth 1,641 GWh, ose rreth 40 për qind më shumë krahasuar me periudhën paraprake.
Paralelisht me rritjen e volumit, është rritur ndjeshëm edhe vlera e përgjithshme e transaksioneve, e cila ka kaluar 369 milionë euro, duke shënuar një rritje prej afërsisht 47 për qind, përcjell Energy Monitor.
Aktiviteti tregtar në zonën e Shqipërisë është rritur me rreth 26 për qind, ndërsa në zonën e Kosovës rritja ka qenë edhe më e theksuar, duke u dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar.
Këto zhvillime dëshmojnë rritjen e likuiditetit dhe interesit për tregun spot të energjisë, si dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të ALPEX në strukturimin e tregut rajonal të energjisë elektrike.
Rritja e pjesëmarrjes së operatorëve dhe e volumit të tregtimit kontribuon në formimin e çmimeve më transparente dhe në forcimin e sigurisë së furnizimit në Kosovë dhe Shqipëri.



