Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka bërë të ditur se i është drejtuar me pyetje zyrtare Korporatës Energjetike të Kosovës për çështjen e prodhimit dhe menaxhimit të thëngjillit për vitet 2025 dhe 2026.
“Pavarësisht se këtë javë Komisioni për Ekonomi nuk ka mbajtur mbledhje, unë kam nisur pyetjet KEK në lidhje me thëngjillin, për 2025 dhe 2026,” ka shkruar Ymeri.
Ajo ka kërkuar sqarime lidhur me sasinë e thëngjillit të nxjerrë gjatë vitit 2025 dhe nëse është arritur planifikimi vjetor. “Sa thëngjill është nxjerr në vitin 2025? A ka arritur planifikimin apo jo?” ka theksuar deputetja, njofton Energy Monitor.
Po ashtu, Ymeri ka kërkuar informacione për planifikimin për vitin 2026, përfshirë sasinë e parashikuar të prodhimit, mënyrën e kontraktimit dhe sasinë që pritet të ofrohet për shitje. “Sa planifikohet të ketë thëngjill në 2026? Si është kontraktuar thëngjilli dhe sa do të ofrohet për shitje,” ka shtuar ajo.
Sipas saj, thëngjilli mbetet pasuria më e madhe energjetike e Kosovës dhe kërkon transparencë të plotë në menaxhimin e tij. “Thëngjilli është pasuria më e madhe e Kosovës edhe ky është vetëm fillimi i kërkesave për transparencë dhe llogaridhënie,” ka përfunduar Ymeri.


