Kompania shtetërore e energjisë e Serbisë, Elektroprivreda Srbije (EPS), ka njoftuar se do të investojë rreth 1.2 miliardë euro në kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2029, në kuadër të strategjisë për transformimin e sektorit energjetik dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit.
Sipas drejtuesve të kompanisë, programi i investimeve përfshin zhvillimin e një portofoli prej rreth 1 gigavat (GW) centralesh fotovoltaike me sisteme baterish për ruajtjen e energjisë, si dhe ndërtimin e hidrocentralit reversibil Bistrica me kapacitet 650 megavat (MW). Ky projekt konsiderohet kyç për rritjen e fleksibilitetit të sistemit energjetik dhe integrimin e burimeve të reja të energjisë së ripërtëritshme, njofton Energy Monitor.
Paralelisht, EPS planifikon ndërtimin e një termocentrali me gaz prej 500 MW pranë Nishit, në bashkëpunim me partnerë nga Azerbajxhani, duke synuar forcimin e sigurisë së furnizimit gjatë periudhës së tranzicionit energjetik.
Kompania ka theksuar se performanca e përmirësuar financiare dhe ulja e ndjeshme e borxhit gjatë viteve të fundit kanë krijuar hapësirë për këtë cikël të ri investimesh.
Përveç projekteve të reja, EPS po vijon modernizimin e kapaciteteve ekzistuese, përfshirë rikonstruktimin e kompleksit hidroenergjetik Vlasina (129 MW) dhe përfundimin e rindërtimit të hidrocentralit reversibil Bajina Bašta (614 MW).
Në rrjet janë shtuar gjithashtu kapacitete të reja, përfshirë parkun me erë Kostolac (66 MW) dhe parkun diellor Petka (rreth 10 MW).



