KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, njofton se në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), nga data 1 prill 2026 do të vazhdojë faza e dytë e daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur.
Sipas kornizës ligjore dhe rregullative në fuqi, konsumatorët komercialë që kanë mbi 50 punonjës ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më në kuadër të shërbimit universal me tarifa të rregulluara, por do të jenë të obliguar të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, një numër biznesesh nuk i plotësojnë më kriteret për furnizim në kuadër të shërbimit universal. Për këtë arsye, duke filluar nga 01 prill 2026, KESCO në rolin e Furnizuesit të Shërbimit Universal nuk do të mund t’i furnizojë këto biznese me tarifa të rregulluara.
Bizneset përkatëse duhet që deri më 01 prill 2026 të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur dhe të fillojnë procedurën e ndërrimit të furnizuesit të paktën 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar është e publikuar në faqen zyrtare të ZRrE-së (ERO).
Në rast se një biznes nuk zgjedh furnizues me kohë, nga 01 prill 2026 do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë, gjatë së cilës duhet të lidhë kontratë me një furnizues të licencuar. Në mungesë të një kontrate brenda këtij afati, furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, bizneset që janë vet-konsumatorë (prosumatorë) njoftohen se nga kjo datë përfundon marrëveshja ekzistuese për vet-konsum në kuadër të skemës me tarifa të rregulluara, ndërsa trajtimi i energjisë së prodhuar dhe të injektuar në rrjet do të rregullohet sipas kushteve të kontratës me furnizuesin e zgjedhur.
KESCO fton bizneset që të konfirmojnë pranë kompanisë numrin e punonjësve, qarkullimin vjetor dhe njësitë/matësit në shfrytëzim, në mënyrë që të sigurohet trajtimi korrekt gjatë procesit të kalimit në tregun e hapur.



