Viti 2025 konfirmon një tjetër vit sfidues për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, teksa konsumi dhe nevoja për importe janë rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT), energjia elektrike në dispozicion arriti në 8.345 GWh, nga 8.171 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 2,1%.
Megjithatë, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike ra në 7.468 GWh, nga 7.837 GWh një vit më parë, ose 4,7% më pak. Rënia lidhet kryesisht me uljen e prodhimit nga hidrocentralet publike, të cilat prodhuan 3.374 GWh, nga 4.085 GWh në vitin 2024, me një tkurrje prej 17,4%.
Rriten ndjeshëm importet, thellohet bilanci negativ i shkëmbimeve
Në kushtet e rënies së prodhimit vendas, Shqipëria rriti ndjeshëm importet. Importi bruto i energjisë elektrike arriti në 3.375 GWh, nga 2.669 GWh në vitin 2024, duke u rritur me 26,5%. Edhe eksportet u rritën, por me ritëm më të ulët: 2.498 GWh në 2025, nga 2.335 GWh në 2024, ose 7,0% më shumë.
Si rezultat, shkëmbimi neto i energjisë (diferenca mes importit dhe eksportit) rezultoi negativ në −877 GWh në vitin 2025, krahasuar me −334 GWh në vitin 2024, duke reflektuar varësinë më të lartë nga tregjet e jashtme.
Energjitë e ripërtëritshme jo-hidro pothuajse dyfishohen
Një zhvillim pozitiv gjatë vitit ishte rritja e prodhimit nga “të tjerë prodhues”, që përfshin burime të tjera të ripërtëritshme si fotovoltaikët. Këta prodhues realizuan 984 GWh në 2025, nga 507 GWh në 2024, duke shënuar një rritje prej 94,3%.
Ndërkohë, prodhuesit privatë dhe koncesionarë prodhuan 3.109 GWh, me një rënie të lehtë prej 4,2% krahasuar me një vit më parë.
Struktura e prodhimit neto vendas në 2025 rezulton: 45,2% nga hidrocentralet publike, 41,6% nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë dhe 13,2% nga burime të tjera të ripërtëritshme.
Rritet konsumi familjar, bien lehtë humbjet në rrjet
Konsumi total i energjisë elektrike arriti në 6.752 GWh, nga 6.556 GWh në 2024, me një rritje prej 3,0%.
Rritja u udhëhoq nga konsumatorët familjarë, të cilët përdorën 3.641 GWh, ose 6,8% më shumë se një vit më parë. Në të kundërt, konsumi nga klientët jo familjarë ra lehtë në 3.111 GWh, me një tkurrje prej 1,2%.
Në të njëjtën kohë, humbjet në rrjet zbritën në 1.593 GWh, nga 1.614 GWh në 2024, ose 1,3% më pak. Pesha e humbjeve në totalin e energjisë në dispozicion ra në 19,1%, nga 19,8% një vit më parë, duke shënuar përmirësim modest në eficiencën e sistemit.
Në tërësi, viti 2025 tregon se sistemi energjetik shqiptar mbetet i ndjeshëm ndaj luhatjeve të prodhimit hidro, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve nga burime të tjera të ripërtëritshme po fiton peshë në strukturën e prodhimit. Rritja e konsumit familjar dhe varësia më e lartë nga importet nënvizojnë nevojën për diversifikim të mëtejshëm të burimeve dhe investime të qëndrueshme në infrastrukturën energjetike. /ekofin.al



